Lidhje

Akullnajat në Parkun Montana dhe ndikimi i ndryshimeve klimaterike


Parqet kombëtare në Shtetet e Bashkuara vlerësohen për bukurinë e tyre natyrale dhe gjallesat e egra. Ato janë ekosisteme delikate të cilat duan kujdes, dhe mbrohen për brezat e ardhshëm. Duke patur parasysh natyrën e tyre të brishtë, shkancëtarët kanë nisur të shohin pasojat e ndryshimeve klimatike apo ngrohjes globale në disa pjesë të këtyre parqeve.

Që në fillim të shekullit të 20-të, Parku Kombëtar Akullnajor i Montanës ka tërhequr vizitorë të shumtë për bukurinë e kreshtave dhe luginave të tij. Por vizitorët e sotëm janë dëshmitarë të një ndryshimi mjaft të shpejtë të peisazhit.

Dan Fagre është ekolog në agjencinë amerikane Geological Survey, një ent qeveritar që merret me shkencën biologjike dhe tokën. “Shtresat akullnajore të Parkut Kombëtar po zhduken me shpejtësi. Kryesisht në këto dekadat e fundit. Këto blloqe akulli që numëroheshin në 150 kur parku u krijua fillimisht, tani kanë mbetur më pak se 27”. Më tepër se 7 mijë vjet më parë, shtresa akulli prej 900 deri në 1500 metra mbuluan këtë vend. Masat e akullit mbulonin këto kreshta të valëzuara dhe luginat rreth tyre.

Tani, Dan Fagre thotë se akulli i mbetur po shkrin me një ritëm tejet të shpejtë. Për këtë ai fajëson ngrohjen globale. “Një bllok akulli nuk mund të nxitë ndryshimet klimatike. Por kur shihet që fenomeni është i përhapur në të gjitha akullnajat nëpër botë, kuptohet që kemi të bëjmë me një dukuri globale. Dhe në këtë rast, shkrirja e akullnajave po ndodh nga ngrohja”. Fagre thotë se nëse shkrirja e akujve vazhdon me këto ritme, atëherë bloqet akullnajore do të zhduken brenda 20 vjetësh. “Pak sa nën re është lartësia akullnajore Salamandër. Shtresa e akullit që e mbulon atë është e hollë dhe prej saj rrjedh një ujvarë. Kjo akullnajë dikur bashkohej me bllokun e akullt Grinnell, i cili është shumë më masiv se sa ai Salamandër. Ky masiv ngrihej deri në lartësinë e burimeve të dy ujvarave. Ai ishte një mijë metra i lartë kur u zbulua në vitin 1887”.

Kjo është zonë ku rriten arinjtë e murrmë. Të friksosh një prej tyre është një gabim me pasoja vdekjeprurëse. Vizitorët që ecin atyre anëve shpesh bëjnë zhurmë për t’u dhënë shënja arinjve se janë në zonën e tyre. Sot, Parku Kombëtar Akullnajor është një sistem ekologjik mjaft i pasur me një mori bimësh dhe kafshësh të veçanta në llojin e tyre. Por kjo mund të ndryshojë nëse blloqet e akullit zhduken dhe klima e ftohtë e dimrit zbutet. “Ndryshimet klimatike kanë ndikim shumë më të gjerë se sa vetëm tek akullnajat. Ato kanë prekur edhe pyjet. Dhe këtu ju mund të shihni një rrip të madh toke ku orteqet e borës kanë skalitur hendeqe të mëdha në pyje. Dhe në këto hendeqe rriten bimë apo organizma që vlejnë si ushqim për arinjtë apo zogjtë, e për mjaft gjallesa të tjera që nuk mund të gjejnë ushqim në pyje të dendur”.

Burimi ujor që ushqen ekosistemin e këtij mali po thahet, siç është tharë dhe ky shtrat përroi. Disa prej këtyre liqeneve janë të pasur me një lloj trofte që jeton vetëm në ujrat e akullta të kësaj zone. Por edhe mjedisi i tyre është gjithashtu në rrezik.

Shkencëtarët thonë se ndryshimet kanë qenë gjithnjë pjesë e jetës në Tokë dhe shumë gjallesa u kanë mbijetuar ndryshimeve të mëdha klimatike përgjatë mijëra viteve. Por Dan Fagre thotë se tani gjndja është ndryshe. “Tani ne kemi parqe kombëtare në këto zona të mbrojtura që po ndryshojnë me shpejtësi në të shumtën e rasteve. Por gjallesat nuk kanë ku të shkojnë. Toka jashtë këtij parku është përdorur nga njerëzit për nevojat e tyre.” Fagre beson se eventualisht toka do t’i përshtatet ndryshimeve klimatike. Por përsa u përket parqeve kombëtare në Amerikë, ato ndoshta do të mbijetojnë, por peisazhi dhe gjallesat e tij nuk do të jenë si më parë. //rd//

XS
SM
MD
LG