Lidhje

Rama: BE-ja duhet të njohë pavarësinë e Kosovës


Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama tha në Prishtinë se i takon Bashkimit Evropian ta mbyllë çështjen e Kosovës me dinjitet duke e njohur pavarësinë e saj në bazë të kompromisit që përmban plani i të dërguarit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari. Zoti Rama i cili arriti dje në Prishtinë për një vizitë në Prishtinë tha se Kosova është pikë së pari një çështje që ka të bëjë me ndërgjegjen e familjes evropiane.

Kosova është për së pari guri i munguar në mozaikun e familjes evropiane dhe i takon Bashkimit Evropian që të unifikohet në qëndrim dhe që të vendosë për t’i dhënë fund këtij procesi duke respektuar traditën dhe atë kornizë të çmuar parimesh dhe vlerash që e bëjnë këtë bashkim një flamur të lirisë dhe demokracisë për çdo individë që jeton në nën qiellin e Evropës”, tha ai.

Zoti Rama tha se tash është koha për një politikë të re në rajon dhe se zhvillimet politike në Serbi nuk mjaftojnë për të larë duart nga e kaluara dhe për të penguar procesin e pavarësimit të Kosovës. Ai tha se Kosova është një çështje kombëtare e gjithë shqiptarëve duke u shprehur mbështetjen e plotë udhëheqësve politikë të Prishtinës në përpjekjet e tyre për të përmbyllur procesin e zgjidhjes së statusit politikë të Kosovës.

Udhëheqësit politikë në Prishtinë e çmuan lartë rolin e Tiranës në çështjen e Kosovës. Presidenti I vendit Fatmir Sejdiu vuri theksin në qëndrimin unik të Shqipërisë ndaj procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Shqipëria me këtë qasje është dëshmuar si një vend që në mënyrë mjaft aktive ka kontribuar në të gjitha proceset jo vetëm tani por edhe në proceset e mëhershme. Juve ju kujtohet edhe në periudhat e investimeve të mëdha për të mbështetë Kosovën në projektin e saj dhe për të mbështetë Kosovën në orët e liga që ne kemi pas në sajë të asaj që ka ndodhur në Kosovë si pjesë e përjetimeve tragjike”, tha presidenti Sejdiu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi tha se me zotin Rama janë pajtuar se zgjidhja e shpejtë të statusit të Kosovë ndihmon paqen dhe qëndrueshmërinë ne rajon, ndërsa nënvizoi rëndësinë që ka qëndrimi i Tiranës në këtë proces.

Është më rëndësi të ceket dhe të inkurajohet uniteti i qëndrueshëm i politikës shqiptare në Tiranë në raport me statusin politikë të Kosovës për shtet të pavarur she sovran ku rol të rëndësishëm në këtë unitet dhe qëndrim të drejt ka edhe zoti Rama dhe Partia Socialiste e Shqipërisë”, tha zoti Thaçi.

Zoti Rama paralajmëroi se me nismën e socialistëve shqiptarë, Grupi socialist evropian do të hartojë një rezolutë për pavarësinë e Kosovës mbi bazën e planit të zotit Ahtisaari dhe atë do t’ia dërgojë Parlamentit të Evropës për miratim. //kk//

XS
SM
MD
LG