Lidhje

Presidenti Bush do të flasë para kombit për Irakun


Presidenti Bush thotë se do të flasë para kombit brenda disa ditësh për hapat e mëtejshme në Irak. Të hënën, dy zyrtarët më të lartë në Irak, Gjeneral David Petreaeus dhe Ambasadori Ryan Crocker do të raportojnë para komisioneve të Kongresit lidhur me gjendjen atje, një mundësi që demokratët thonë se duhet shfrytëzuar për të ndryshuar drejtimin e luftës.

Presidenti Bush u largua nga Australia sot para se të mbaronte takimi i nivelit të lartë i APEC-ut, vendeve të Azi Paqësorit, për t’u kthyer në Uashington para dëshmive në Kongres të hënën dhe një raporti të Shtëpisë së Bardhë për Irakun.

Të hënën, presidenti bëri një vizitë të paparalajmëruar në Irak. Ai shmangi Bagdadin, duke shkuar në provincën perëndimore të al-Anbarit. Deri vonë, kjo provincë ishte bazë e kryengritësve Suni dhe al-Kaidës në Irak, por sheikët fisnorë po bashkëpunojnë me forcat irakiane dhe të koalicionit për të luftuar kundër ndikimit të tyre.

“Populli i Anbarit e ka parë se mposhtja e terroristëve dhe esktremistëve sjell një jetë më të mirë. Dhe rasti i Anbarit ka treguar se përmirësimi i sigurisë është hapi i parë drejt përparimit ekonomik dhe pajtimit politik”.

Por vdekja e katër marinsave amerikanë në Anbar para dy ditëve shërbeu si kujtesë se përparimi nuk arrihet lehtësisht ose pa kosto.

Gjatë vizitës gjashtë orëshe, Presidenti u takua me trupat dhe me udhëheqësit më të lartë të ushtrisë amerikane dhe qeverisë irakiane. Presidenti Bush tha se ai u informua edhe nga Gjenerali Petreus dhe Ambasadori Crocker.

“Gjatë ditëve të ardhshme, ata do të vijnë në Washington për të njohur Kongresin me gjendjen në terren. U kërkoj anëtarëve të Kongresit që t’i dëgjojnë këta profesionistë të respektuar, para se të arrijnë në përfundime të nxituara”.

Presidenti Bush shtoi se ai do të flasë para popullit amerikan javën e ardhshme lidhur me ndryshimet që strategjia e tij ka sjellë në Irak dhe për të paraqitur planin e tij për angazhimin e ardhshëm atje. Ai nuk la të kuptohej se kjo do të thoshte tërheqje të trupave amerikane, diçka që demokratët e kanë kërkuar vazhdimisht.

E marta shënon 6 vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara. Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat Harry Reid tha në përgjigjen e demokratëve ndaj fjalimit të përjavshëm të Presidentit, se në vend që të shkatërrojë al-Qaidën, Presidenti Bush e udhëhoqi popullin amerikan në një luftë të paplanifikuar mirë në Irak.

“Dhe sot rezultatet e vendimit të tij janë më të qarta se kurrë. Mbi 170 mijë amerikanë të guximshëm e gjejnë veten në mes të një lufte civile në Irakun e largët; Osama bin Ladeni është ende gjallë dhe nxjerr video, ku tallet me Amerikën, duke planifikuar sulme. Al-Qaida dhe udhëheqja e saj po e rimarrin veten”.

Senatori Reid thotë se raporti i Gjeneralit Petreus këtë javë para Kongresit është një shans për ndryshimin e shumëpritur të drejtimit në Irak.

“Paraqitja e raportit këtë javë është një mundësi tjetër për të analizuar këto të meta dhe për të ndryshuar më në fund strategjinë. Ne duhet ta mbyllim luftën me përgjegjësi dhe ta kthejmë vëmendjen aty ku duhet, tek mposhtja e al-Qaidës dhe një luftë e vërtetë, efektive ndaj terrorizmit”.

Ai tha se nëse Presidenti Bush nuk pranon t’i bëjë këto, atëherë i takonte Kongresit të udhëhequr nga demokratët t’i tregonte atij sesi duhej vepruar.//kk//

XS
SM
MD
LG