Lidhje

Përfundon takimi dy-ditor i APEK-ut në Sidnei të Australisë


Udhëheqësit e Azi-Paqësorit përfunduan sot takimin e nivelit të lartë dy-ditor në Sidnei të Australisë, me një thirrje për përparim urgjent në bisedimet e ngecura të tregëtisë globale.

21 udhëheqësit bënë një deklaratë sot në të cilën zotohen që vullneti politik, fleksibiliteti dhe ambicja të sigurojnë që negociatat në raundin e Dohas të hyjnë këtë vit në fazën përfundimtare.

Bisedimet e tregëtisë, të pezulluara në Doha, të cilat synojnë pakësimin e varfërisë, u ndërprenë për shkak të mosmarrëveshjeve mbi barrierat për mallrat bujqësore dhe mundësinë për shkëmbimin e mallrave në treg.

Dje, udhëheqësit e 21 vendeve anëtare të forumit të APEK-ut, ranë dakord që të gjitha vendet të kontribuojnë sipas aftësive të tyre në nevojat e botës për pakësimin e gazrave që shkaktojnë efektin serë.

Udhëheqësit nuk miratuan objektiva të sakta për pakësimin e gazrave, që ndikojnë në ndryshimet klimaterike.

Mbrotësit e mjedisit i kishin bërë thirrje APEK-ut që të caktonte objektiva të sakta, në vend të objektivave jo-detyruese. Por shumë qeveri, mes tyre ajo e Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Australisë, e kundërshtojnë caktimin e afateve për këtë çështje. //ze//

XS
SM
MD
LG