Lidhje

Demonstratë para Shtëpisë së Bardhë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi


Një grup shqiptaro amerikanësh demonstruan sot në Uashington në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe trajtimin e tyre të barabartë me pakicat e tjera etnike në këtë republikë. Ata i bënë thirrje qeverisë amerikane e kongresit që të ndërhyjë për këtë çështje pranë autoriteteve të Podgoricës. Siç njofton kolegu ynë Astrit Lulushi ndër shqetësime të tjera të demonstruesve në Uashington ishte edhe çështja e 14 shqiptarëve të arrestuarave një vit më parë, përfshi 3 shqiptaro amerikanë nën akuza për plane terroriste. Të akuzuarit i kanë hedhur poshtë akuzat, ndërsa gjyqi ndaj tyre ende vazhdon.

Demonstrata para Shtëpisë së Bardhë u organizua nga Shoqata Malesia e Madhe me qëndër në Miçigan. Qëllimi i tyre është për të tërhequr vemendjen e zyrtarëve amerikanë rreth gjendjes së të drejtave politike, shoqërore dhe ekonomike të shqiptarëve në Mal të Zi. Demonstruesit e ardhur nga disa shtete të Amerikës, kryesisht nga Miçigani, mbanin flamujë shqiptarë e amerikanë si dhe pankarta ku protestohej vazhdimi i mbajtjes në burg në Mal të Zi të 14 shqiptarëve përfshi 3 shqiptaro amertikanë të akuzuar nga Podgorica zyrtare për futje armësh për qëllime terroriste në Mal të Zi. Veprimtari i komunitetit shqiptar të Miçiganit, afaristi Luigj Gjokaj, thotë se është bërë më shumë se një vit që Mali i Zi është shpallur i pavarur nga unioni me Serbinë, por shqiptarët në këtë republikë si edhe më parë ende nuk trajtohen si të barabartë me grupet e tjera etnike.

Zoti Gjokaj shton se qëllimi i kësaj proteste është për të dënuar me tone më të ashpra vuajtjet fizike dhe mendore që të burgosurit shqiptarë po provojnë në duart e policisë malazeze. Zoti Gjokaj thotë se këto akte janë të ngjashme me ato që regjimi jugosllav përdorte dikur ndaj shqiptarëve.

Pjesmarrësit në demonstratë i bëjnë thirrje qeverisë malazeze që të heqë dorë plotësisht nga praktika diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe të lejojë respektimin e të drejtave të njeriut. Ata u bëjnë thirrje demokracive evropiane dhe Shteteve të Bashkuara që t’i kërkojnë Malit të Zi që të zbatojë ligjet ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave.

Organizatorët e protestës thonë se shqiptarët e Amerikës do të vazhdojnë të kërkojnë mbrojtjen me ligj të të drejave të shqiptarëve në Mal të Zi, zbatimin e tyre dhe përfshirjen e tyre në strukturat politike, në mënyrë që shqiptarët të gëzojnë të drejta të barabarta me popullsinë sllave që përbën shumicën në Mal të Zi. Në demonstratë ndodhej edhe ish deputeti në parlamentin e Malit të Zi, Lek Lulguri. Ai tha se pas demostratës në Shtëpinë e Bardhë ata po sot do të marshojnë drejt ambasadës së Malit të Zi, pak blloqe më tej. Një shqetësim tjetër i ish deputetit Lulguri është edhe çështja e qeverisjes vendore të komunave të banuara nga shqiptarët në Mal të Zi. Ai përmend çështjen e komunës së Tuzit e banuar kryesisht nga shqiptarë.

Ish deputeti Lulguri thotë se përpjekjet për vetqeverisje deri tani nuk kanë patur sukses dhe për këtë ai fajëson kundërshtimin këmbëngulës të qeverisë qëndrore, por edhe mosmarrëveshjet mes politikanëve apo partive politike shqiptare në Mal të Zi.

XS
SM
MD
LG