Lidhje

Gjenerali Petreas dhe ambasadori Kroker dëshmojne para Senatit amerikan


Në Uashington vazhdon sot dëshmia e Komandantit të trupave amerikane në Irak dhe ambasadorit amerikan, këtë radhë para Senatit lidhur me përparimin dhe problemet në Irak.

Ambasadori Ryan Crocker tha sot në seancën e Senatit se në qeverinë qendrore në Irak ka një mungesë koordinimi të jashtëzakonshme. Por ai shtoi se përparimi në nivelin lokal mund të ndihmojë në realizimin e pajtimit kombëtar.

Gjenerali David Petraeus tha se shtimi i numrit të trupave amerikane po jep rezultat dhe ai pararshikon që të fillojë tërheqja e trupave gjatë vitit të ardhshëm. Presidenti Bush e kishte marrë vendimin për të shtuar trupat, në përpjekje për të pakësuar dhunën dhe t’i jepte kohë qeverisë irakiane që të organizohej më mire. Edhe Gjenerali Petraeus shprehu shqetësim me gjendjen politike në vend.

Senatori democrat Joe Biden tha se amerikanët nuk do të mbështesin një luftë, synimi i vetëm i së cilës është që të mos lejohet keqësimi i mëtejshëm i gjendjes.

Ndërkohë, qeveria e Irakut mirëpriti rekomandimet për pakësimin e numrit të trupave amerikane atje gjatë vitit të ardhshëm.

Këshilltari irakian për Sigurinë Kombëtare, Movafak al-Rubai, tha sot se forcat irakiane po forcohen dhe nevoja për trupa amerikane në operacione luftarake po pakësohet.

Por ai tha se Iraku do të ketë nevojë për mbështetje nga forcat e koalicionit edhe për një farë kohe për të stërvitur forcat irakiane në përballimin e kryengritësve.

Në zhvillimet e tjera, ushtria amerikane tha sot se forcat e koalicionit vranë 123 kryengritës në operacione të ndryshme në mbarë Irakun.

Në një prej këtyre operacioneve në lindje të Bagdatit, forcat ushtarake thonë se vranë 9 kryengritës, dhe kapën 8 prej tyre, por policia irakiane dhe dëshmitarët thonë se gjatë sulmit të kryer në agim, në distriktin kryesisht shi’it të Bagdatit, u vranë 3 civilë. (kh)

XS
SM
MD
LG