Lidhje

Dy përfaqësuesit kryesorë amerikanë në Irak thonë se tërheqja e trupave mund të filloje verën e 2008-ës


Komandanti i trupave amerikane në Irak, gjenerali Dejvid Petreas thotë se përgjithësisht ushtria amerikane i ka plotësuar objektivat e saj në Irak, si rezultat i shtimi të trupave që nga muaji shkurt. Gjenerali Petreas thotë se është plotësisht e mundëshme që të fillojë tërheqja e trupave nga vera e vitit 2008 dhe në Irak të mbetet ai kontigjent që ishte para shtimit të tyre. Kolegia Isabela Çoçoli njofton nga çatia. Gjenerali Petraeus i bëri këto vlerësime në raportin e shumëpritur para dy komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, të forcave të armarosuta dhe të marrëdhënieve me jashtë, sëbashku me ambasadorin amerikan në Irak, Rajan Krokër.

Gjenerali Petreas tha se forcat irakiane po marrin dalngadalë kontrollin e sigurimit kombëtar dhe në përgjithësi numri i incidenteve në Irak ka rënë në 8 nga 12 javët e fundit. Si rezultat, tha ai, trupat amerikanë mund të të fillojnë gradualisht largimin nga Iraku brenda disa javësh. "Besoj se ne do të jemi në gjendje të pakësojmë forcat deri në nivelin para shtimit të tyre ay nga vera e vitit të ardhëshëm, pa rrezikuar arritjet në fushën e sigurimit për të cilat kemi luftuar me këmbëngulje”. Gjenerali Petreas dhe ambasadori amerikan në Irak, Rajan Krokër, thanë megjithatë se përparimi në Irak është i ngadalshëm. "Ndërkohë që gjendja në Irak mbetet komplekse, e vështirë dhe shqetësuese, besoj se me kalimin e kohës është e mundur për të arritur objektivat tona atje. Megjithatë kjo nuk do të jetë as e shpejtë dhe as e lehtë”.

Gjeneral Petreas tha në raportin e tij se vrasjet në popullatën civile irakiane kanë rënë me më shumë se 45 përqind. Ai tha gjithashtu se forcat amerikane dhe ato irakiane kanë eliminuar disa strehime të sigurta të al-Kaidës. Ambasadori Krokër theksoi përmirësimit që janë bërë këtë vit në aspektin politik, ekonomik dhe të sigurimit, gjë të cilën disa ligjvënës amerikanë e vënë në dyshim. Ligjvënë si demokrat, Tom Lantosh: "Administrata ju ka dërguar sot këtu që të bindni anëtarët e dy komisioneve të Kongresit se fitorja është e afërt. Me shumë respekt për ju, më duhet të them se nuk e besoj këtë”. Ambasadori Krockër e pranoi se ishte i shqetësur për mungesën e përparimit, por tha se politikanët irakianë duken se e kanë marrë seriozisht zgjidhjen e çështjeve të vështira në vend.

Ambasadori Krokër dhe gjenerali Petreas u raportojnë sot komisioneve të forcave të armatosura dhe të marrëdhënieve me jashtë të Senatit. Ndërsa Shtëpia e Bardhë do t’i paraqesë Kongresit raportin e saj për gjendjen në Irak deri më 15 shtator.

XS
SM
MD
LG