Lidhje

Noriega vazhdon të mbahen nën arrest në SHBA


Ish-diktatori panamez Manuel Noriega vazhdon të jetë nën arrestin amerikan ndërkohë që avokatët e tij mundohen të menjanojnë një kërkesë për ta ekstraduar atë në Francë. 73 vjeçari Noriega ishte caktuar të lirohej të dielën pas marrjes fund të dënimit për përvetësim fondesh dhe trafik droge. Një gjykatës federal në Miami të Floridës vendosi të premten se Noriega mund të ekstradohet në Francë për tu përballur me akuzat për pastrim parashë. Gjykatësi gjithashtu krijoi kushtet për ekstradim duke hedhur poshtë kërkesën e palës mbrotjëse se Franca nuk do t’i jepte të drejtën Noriegës për mbrojte nën statusin e të burgosurit të luftës. Avokatët e Noriegës kanë thënë se do ta apelojnë vendimin e gjykatësit.

Ish gjenerali Manuel Noriega sundoi Panamanë për mbi 16 vjet megjithëse asnjëherë nuk fitoi në zgjedhje. Megjithëse dikur ka qenë aleat i Shteteve të Bashkuara, Noriega ndezi kritika të ashpra pasi qeveria e tij u akuzua për vrasjen e kundërshtarëve politikë, manipulimin e zgjedhjeve dhe trafikim kokaine nga Kolumbia në Shtetet e Bashkuara.

Pas disa muaj tensionesh, forcat ushtarake amerikane ndërhynë në Panama në fund të vitit 1989 dhe kapën Noriegën. Ish Prokurori i Përgjithshëm Guy Lewis ndihmoi në shpalljen e tij fajtor në vitin 1992 nën akuzat për trafik droge dhe zhvatje parash përmes presionit. Ai thotë se ky ishte një proces historik: "Është herë e parë dhe e fundit që udhëheqësi i një vendi merret me forcë, në këtë rast nga Divizioni 82 i Forcave Ajrore dhe sillet në Shtetet e Bashkuara për gjykim". Zoti Lewis thotë se gjatë procesit Noriega i cilësoi akuzat ndaj tij si të motivuara politikisht dhe i kërkoi gjykatës ta deklaronte të burgosur lufte.

Lewis thotë se hetuesit zbuluan një rrjet të gjerë të trafikut të drogës të lidhur me Panamanë: "Gjithmonë e konsideronim këtë si një proces lidhur me trafikun e drogës. Pa diskutim kishte edhe ndikim politik, por po përpiqeshim të provonim se Noriega kishte kontrabanduar drogë, kishte mundësuar trafikun e saj përmes vendit të tij, e kishte mbrojtur këtë trafik dhe ishte angazhuar në pastrim parash". Avokatët e Noriegës kanë paraqitur apel duke argumentuar se statusi i tij si i burgosur lufte nuk lejon ekstradimin e tij në Francë, ku ai është akuzuar për pastrim parash.

Gjykatat amerikane i kanë hedhur poshtë apelet. Nga ana e saj Panamaja ka kërkuar ekstradimin e Noriegës për ta gjykuar për zhvatje parash, korrupsion dhe vrasje. Por shumë panamezë mbështesin kërkesën e Francës për ekstradim. Luis Botello, ish gazetar panamez, i cili tani jeton në Uashington, thotë se të paktë janë ata që mendojnë se ish-udhëheqësi 73 vjeçar do të gjente drejtësi në vendin e tij: "Megjithëse shumë panamezë preferojnë që ai të ndëshkohet në Panama, ata nuk kanë shumë besim tek qeveria. Shumë njerëz duan që drejtësia të vihet në vend dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse ai gjykohet jashtë vendit. Prandaj Noriega duhet të shkojë në Francë". Botello thotë se panamezët ndjehen të nervozuar nga që shumë prej ish-aleatëve të Noriegës janë ende në pushtet dhe shton se nuk janë bërë përpjekje të mirëfillta për të ndjekur penalisht personat e akuzuar për krime gjatë sundimit të Noriegës.

Botello thotë se debati i fundit për ekstradim ka ringjallur kujtimet e dhimbshme të diktaturës së tij: "Fakti që kthimi i mundshëm i Noriegës ka zgjuar emocione kaq të forta 17 vjet më pas tregon se Panamaja nuk është gati ta presë atë, qoftë edhe si të burgosur". Botello thotë se qeveria panameze nuk gëzon ende besimin e popullatës, që pas dëmtimit të këtij besimi gjatë diktaturës. Ai thotë se gjendja do të jetë më e lehtë pa praninë e ish-gjeneralit.

XS
SM
MD
LG