Lidhje

Di Carlo: SHBA mbështet planin Ahtisari nëse palët nuk bien dakord për një variant tjetër


Procesi i negociatave 120 ditëshe do të vazhdojë javën e ardhshme me takimin Treshes ndërkombëtare me delegacionin e Prishtinës dhe atë të Beogradit në Londër. Bashkësia ndërkombëtare ka theksuar se do të pranojë çdo zgjidhje kompromisi që gjejnë palët në këto negociata. Por ndërkohë që nuk ka pasur shenja për kompromis, Zëvendës – Ndihmës Sekretarja e Shtetit Rozmari di Karlo nënvizoi qëndrimin amerikan se në mungesë të një zgjidhjeje të pranueshme si nga Prishtina dhe Beogradi, Uashingtoni e konsideron planin Ahtisari si rrugëzgjidhjen më të mirë për të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Zonja Di Karlo, janë zhvilluar tashmë takimet e para në kuadër të negociatave 120 ditëshe. Në ç’fazë ndodhet aktualisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës?

Rozmari di Karlo: Takimet sapo kanë filluar. Janë zhvilluar 2 takime. Trojka shkoi në rajon, në Beograd dhe Prishtinë si dhe zhvilloi takime në Vjenë dy javë më parë. Pas pak ditësh do të kemi takimin e Londrës. Palët po fillojnë të parashtrojnë propozimet e tyre dhe të sqarojnë plotësisht dëshirat e tyre. Është mjaft e qartë se palët vazhdojnë të jenë larg për sa i përket arritjes së një zgjidhjeje kompromisi, megjithatë ata bien dakord në një numër çështjesh.

Zëri i Amerikës: A pritet ndonjë propozim më i qartë në takimet në Londër dhe Nju Jork dhe a do të ketë një qëndrim më të prerë nga Shtetet e Bashkuara për të theksuar çfarë presin nga këto negociata?

Rozmari Di Carlo: Shpresojmë se po. Shpresojmë se do të shohim propozime të reja. Shpresojmë se palët do ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të gjetur një zgjidhje që përmbush interesat e përbashkëta. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është se ne do të pranojmë cilëndo zgjidhje që të pranojnë palët. Por përgjegjësia mbetet mbi palët për të dalë me prozime.

Zëri i Amerikës: Beogradi ka kërkuar sqarime lidhur me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për sa i përket statusit të ardhshëm të Kosovës. A mund të sqaroni ju lutem edhe një herë qëndrimin amerikan ndaj kësaj çështjeje?

Rozmari Di Carlo: Ne jemi të angazhuar në këtë periudhë bisedimesh mes palëve. Ne e konsiderojmë këtë periudhë si shumë të rëndësishme. Megjithatë, ajo nuk do të vazhdojë pafundësisht. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun i ka kërkuar Grupit të Kontaktit t’i raportojë atij më 10 dhjetor, prandaj duhet të punojmë intensivisht në javët dhe muajt e ardhshëm. U kemi kërkuar palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe dëshirojmë që ata të arrijnë një marrëveshje. E theksoj edhe një herë, një marrëveshje mes tyre do të ishte në interes të të gjithëve. Megjithatë, nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: e thamë më 20 korrik së bashkë me bashk-sponsorizuesit e tjerë të projekt-rezolutës për Kosovën në Nju Jork se nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje, ne mendojmë se plani Ahtisari mbetet alternativa më e mirë për të vazhduar në të ardhmen.

Zëri i Amerikës Pra propozimi për pavarësi, edhe nëse Beogradi nuk e mbështet këtë propozim?

Rozmari Di Carlo: Do të ritheksoj se ne dëshirojmë që palët të arrijnë në marrëveshje. Duam që ata ta shfrytëzojnë këtë rast për të gjetur një zgjidhje që ta pranojnë të dyja palët. Ne i mbështesim këto përpjekje dhe do të mbështesim çdo zgjidhje që ata mund të gjejnë bashkarisht. Megjithatë, siç e thamë më 20 korrik dhe siç u përsërit kohët e fundit nga Ministri i Jashtëm francez dhe Sekretari i Jashtëm Britanik, nëse palët nuk arrijnë në kompromis, e konsiderojmë planin Ahtisari si zgjidhjen më të mirë për të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Sa shqetësues është fakti që fuqitë evropiane nuk po dalim me një zë të vetëm mbi këtë çështje?

Rozmari Di Carlo: Kosova është një problem evropian, është një çështje që lidhet me politikat evropiane të sigurimit. Prandaj është shumë e rëndësishme që të zgjidhet në një formë të tillë që Bashkimi Evropian të luajë një rol kyç. E dimë se evropianët kanë zhvilluar diskutime shumë serioze, e dimë sa e rëndësishme është kjo çështje për ta. I gjithë Ballkani është i rëndësishëm për ta. Evropa e ka bërë të qartë se Ballkani perëndimor do të gjejë vend në Evropë sapo të përmbushë kriteret. Është e rëndësishme për Evropën të jetë e bashkuar, është e rëndësishme që Evropa të jetë në gjendje të zgjidhë problemet e sigurisë në rajon. Synimi ynë është të mbështesim përpjekjet e tyre.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët datën 10 dhjetor kur pritet që Grupi i Kontaktit t’i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-mun. Nëse nuk arrihet kompromis mes palëve, si do të vazhdohet më tutje. A do të ketë negociata të mëtejshme?

Zëri i Amerikës: Mendoj se duhet t’u japim palëve kohë. Janë zhvilluar vetëm disa takime dhe do të shohim se ç’del nga raundi i ardhshëm i diskutimeve. Ne jemi të angazhuar që t’i raportojmë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së më 10 dhjetor. Mandati i Trojkës përfundon më 10 dhjetor. Në këndvështrimin tonë, dhe nga pikëpamja e shumë vendeve evropiane, ky është raundi i fundit i negociatave. Siç e thashë, ky nuk është një proces pa fund. //rd//

XS
SM
MD
LG