Lidhje

Si e presin myslimanët amerikanë muajin e shenjtë të Ramazanit


Ndërkohë që fillon muaji i shenjtë i Ramazanit, myslimanët amerikanë në mbarë vendin po bashkohen nëpër xhami dhe shtëpitë e njëri-tjetrit sipas traditës myslimane.

Në Amerikë mendohet se jetojnë 6 deri 8 milionë myslimanë të përbërë kryesisht nga imigrantë nga bota arabe, si dhe të konvertuar. Pavarësisht vendit të origjinës, myslimanët amerikanë e presin Ramazanin sipas rregullave tradicionale. Përgatisin iftarin për të ngrënë së bashku pas argjërimit dhe falen së bashku. Disa prej tyre blejnë embëlsira të ndryshme në dyqanet e tyre. Shala Harounin, myslimane amerikane nga Kashmiri, e merr malli për bashkimin familjar për Ramazan.

“Ramazani në vendlindjen time është më i mirë...kemi më shumë anëtarë të familjes dhe të gjithë bashkohemi, ndërkohë që këtu ke vetëm disa pjesëtarë të familjes“.

Qendrat Islamike dhe xhamitë po gumëzhijnë nga besimtarët që luten dhe lexojnë Kuranin. Imami Hassan Qazwini i qendrës islamike amerikane në Dearborn, Michigan thotë se qendra ka një program të veçantë për Ramazanin.

“Çdo mbrëmje pas faljeve, qendra do të mbajë një sesion të posaçëm me recitime nga Kurani i shenjtë ... me interpretime të Kuranit ... si dhe leksione të tjera.”

Ai thotë se në qendren islamike gjatë lutjeve të mbrëmjes shkojnë deri 1 mijë besimtarë. Gjatë Ramazaniot shton ai, do të ketë një program special për myslimanët e lindur në Amerikë.

“Për pjesën amerikane të besimtarëve do të kemi një program special. Ne besojmë se ata do të jenë ambasadorët e Islamit tek jo-myslimanët. Ata do të jenë ata që do ta përcjellin myslimanizmin, kështu që do të kemi një program të specializuar për të rinjtë”.

Për grupet myslimane amerikane, Ramazani ka shërbyer si një mënyrë për t’i treguar publikut amerikan rreth festave të myslimanëve dhe besimit Islam. Dawud Walid është drejtor i Këshillit për Mardhëniet Amerikano-Islamike me qendër në Washington.

“Ky këshill shpërndan informacione rreth Ramazanit tek zonat jo-myslimane dhe miqtë. Gjithashtu organizojmë programe ku flasim rreth Ramazanit. Ne e bëjmë këtë jo vetëm të ndërthurur me qendrat islamike por edhe grupe ndërfetare, kështu që kjo ka qënë një fushatë e suksesshme”.

Disa veprimtari të planifikuara nga myslimanët amerikanë për të edukuar amerikanët e tjerë rreth Islamit gjatë Ramazanit, përfshijnë mbajtjen e ceremonive nëpër xhami apo qendrat Islamike, leksionet publike për Ramazanin dhe ifatar për grupet ndërfetare. Po ashtu ata vendosin reklama në media për t’i kujtuar amerikanëve se myslimanët janë pjesë e pandarë e shoqërisë amerikane.

Që nga fillimi i viteve 1990, presidenti Amerikan u ka uruar Ramazanin më shumë se 1,2 miliard myslimanëve në mbarë botën, dhe ai fton ambasadorët e vendeve myslimane dhe udhëheqës amerikanë myslimanë në iftarin që organizon Shtëpia e Bardhë. //iç//

XS
SM
MD
LG