Lidhje

Kosovë: Përfundon afati për regjistrimin e kandidatëve për zgjedhjet e 17 nëntorit


Në orën 17 ka përfunduar afati për regjistrimin e kandidatëve të partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e reja parlamentare dhe lokale të caktuara për 17 nëntor.

Mazllum Baraliu, kryeshef i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u ka bërë thirrje partive politike që të respektojnë këtë afat, meqë edhe ashtu afati për organizimin e zgjedhjeve është tepër i ngushtë dhe do të ketë shumë vështirësi për organizimin e tyre. “Natyrisht që ne jemi jo të shqetësuar, por të preokupuar me afatet dhe punët që duhet të bëjmë brenda për brenda kornizave të afateve të caktuara dhe të parapara me planin operacional dhe dinamikën e atij plani, që e kemi miratuar më herët në KQZ. Mirëpo, ne po e bëjmë maksimumin tonë, po angazhohemi të gjithë pra dhe kemi përkrahje nga institucionet vendore e ndërkombëtare, jemi duke punuar intensivisht dhe shpresojmë që t’ia dalim”, tha ai.

Zoti Baraliu tha se për pjesëmarrje në zgjedhje janë paraqitur edhe disa parti më të vogla politike serbe, duke u bërë thirrje pjesëtarëve të këtij komuniteti që të bëhen pjesë e këtij procesi. “Dhe shpresoj që kësaj radhe do të jenë, është koha e fundit që të kuptojnë realitetin dhe të integrohen në proceset në Kosovë dhe procesi zgjedhor është njëri prej më të rëndësishmëve dhe unë shpresoj se do të jenë pjesë përbërëse e procesit dhe pjesë integruese e popullsisë së Kosovës dhe institucioneve të saj”, tha zoti Baraliu.

Pjesëmarrja e pjesëtarëve të këtij komuniteti në këto zgjedhje ende mbetet e paqartë edhe për shkak të porosive që u dërgohen atyre nga Beogradi. Përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Serb në veriun e Kosovës, të njohur si përfaqësues të vijës së ashpër janë shprehur kundër pjesëmarrjes në zgjedhje, ndërsa drejtuesi i listës serbe për Kosovën Oliver Ivanoviç, thotë se serbët nuk duhet të përsërisin gabimet nga e kaluara dhe të mbesin jashtë institucioneve. “Mendojmë se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje është e domosdoshme edhe për shkak të stabilitetit dhe sigurisë”, thotë Oliver Ivanovic, sipas të cilit vendimin e ka vështirësuar edhe deklarimi kundër pjesëmarrjes në zgjedhje i ministrit serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë Sllobodan Samarxhiç.

Thirrje për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje kanë bërë edhe udhëheqësit ndërkombëtarë por edhe ata vendës në Kosovë. Listat e hapura dhe pragu zgjedhor prej 5 përqindësh që paraqesin risi në këto zgjedhje ka bërë që partitë të punojnë në ethe deri në çastet e fundit. Ato më të mëdhatë janë përballur me vështirësi në hartimin e listave të kandidatëve duke bërë përpjekje për të shmangur përplasjet e brendshme, ndërsa partitë e vogla që nuk mund të kalojnë pragun zgjedhor në përpjekje për të siguruar një kulm mbi kokë duke u bashkuar me partitë më të mëdha në koalicione parazgjedhore.

Lidhja e këtyre koalicioneve ka zgjatur deri pak orë para afatit të regjistrimit të kandidatëve. Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të reja është përcjellë me shqetësime për shkak të ndikimit që mund të ushtrojnë ato në procesin e zgjidhjes së statusit politikë të Kosovës. Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Joachim Ruecker ka rezervuar të drejtën që të shtyjë zgjedhjet nëse ato bien ndesh me procesin e statusit apo shfrytëzohen si arsye për shtyrjen e tij. Kjo e drejtë ka filluar të përmendet gjithnjë e më shpesh në qarqet politike ndërkombëtare në Kosovë. //rd//

XS
SM
MD
LG