Lidhje

Putin emëron Kryeministrin e ri të Rusisë


Presidenti rus Vladimir Putin emëroi Viktor Zubkovin si Kryeministrin e ri të Rusisë.

Kryetari i Dhomës së Ulët të parlamentit rus, tha se zoti Putin i kërkoi organit ligjvenës të miratojë kandidaturën e zotit Zubkov. Aktualisht, ai është në krye të agjencisë që merret me luftën kundër pastrimit të parave. Ligjvenësit pritet të votojnë nesër.

Njoftimi i papritur u dha vetëm disa orë pas dorëheqjes së Kryeministrit Mikhail Fradkov dhe qeverisë së tij, në përgatitje për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale.

Presidenti Putin tha se dorëheqja e Kryeministrit Fradkov ishte e domosdoshme për të ristrukturuar qeverinë, para zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit. Zgjedhjet presidenciale janë planifikuar për në mars të vitit të ardhshëm.

Zoti Fradkov do të vazhdojë të shërbejë si Kryeministër i përkohshëm deri në konfirmimin e Viktor Zubkovit.

Gjatë transferimit të pushtetit presidencial në vitin 1999, presidenti i atëhershëm Boris Yelstin e emëroi zotin Putin kryeministër, disa muaj para se zoti Putin të bëhej president i përkohshëm.

Zoti Zubkov aktualisht është kryetari i Shërbimit Federal të Kontrollit të Financave, një agjenci që merret me luftën kundër pastrimit të parave.

Ai e filloi karrierën në politikë si punëtor i instrusisë së metaleve. Më pas përfundoi studimet për ekonomi, i specializuar për bujqësinë. Për disa vite ishte drejtor i fermave bujqësore në Shën Peterburg, para se të shërbente në administratën e këtij qyteti.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, zoti Zubkov punoi me zotin Putin në komisionin për investimet e huaja në qytet. Në fund të viteve ’90, ai humbi në zgjedhjet për guvernator të rajonit të Leningradit.

Presidenti Putin e emëroi atë në krye të shërbimit të kontrollit financiar në vitin 2001, kohë që udhëheqësi rus filloi një fushatë kundër biznesmenëve të fuqishëm, që arritën të vinin pasuri të madhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. //iç//

XS
SM
MD
LG