Lidhje

Presidenti Bush do t’i drejtohet sonte kombit amerikan me një fjalim


Presidenti Bush e kaloi ditën e djeshme duke u pregatitur për fjalimin për Irakun, të cilin ndihmësit e tij thonë se e ka rishikuar shumë herë. Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se Presidenti do të mbështesë rekomandimin e gjeneralit Dejvid Petreas për të tërhequr 30 mijë trupat, të cilat u dërguan në Irak në fillim të këtij viti.

Kjo do të bëjë që deri nga mesi i vitit 2008, në Irak të mbeten 130 mijë trupa amerikane.

Në dëshminë përpara Kongresit këtë javë, gjenerali Petreas dhe ambasadori amerikan Rajën Krakër thanë se në përgjithësi strategjia e administratës në Irak do të mbetet kryesisht e pandryshuar sapo të tërhiqen trupat, që u shtuan në fillim të viti.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Toni Snou tha se shtimi i trupave flet për një sukses, sepse u ka bërë të mundur komandantëve amerikanë që t’u kalojnë më shumë përgjegjësi forcave irakiane të sigurimit për operacionet luftarake kryesore.

“Nuk mund të kundërshtohet fakti se atje janë bërë ndryshime të rëndësishme. Dhe kjo ka ardhur si rezultat i faktit që dihet se Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur në shumë forma irakianët dhe në të njëjtën kohë kanë punuar me ta për të krijuar një gjendje më të mirë sigurie”.

Por udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Heri Riid tha se shtimi i trupave ka dështuar të arrijë atë që Presidenti tha se ishte objektivi i tyre parësor, t’u jepnin kohë udhëheqësve të Irakut që të zgjidhnin mosmarrveshjet e tyre dhe të miratonin ligje të rëndësishme, duke përfshirë dhe një ligj mbi shpërndarjen e të ardhurave nga nafta.

“Çdo vlerësim objektiv ka treguar se shtimi i numrit të trupave nuk pati sukses që ta sillte qeverinë e Irakut pranë ripajtimit politik”.

Në fillim të këtij viti, demokratët në Senat dështuan të siguronin votat e nevojshme për të detyruar zotin Bush të vendoste një afat kohor për tërheqjen e trupave, kryesisht sepse mjaft anëtarë të partisë republikane të Presidentit thanë se planit duhet t’i jepet më shumë kohë që të ketë rezultat.

Senatori Riid tha se demokratët do të përpiqen përsëri javën e ardhshme të ofrojnë ndryshime për ligjin mbi financimin e ushtrisë për të ulur numrin e trupave poshtë niveleve të para shtimit të trupave në fillim të vitit. Zoti Riid tha se udhëheqësit e opozitës po përpiqen të sigurojnë mbështetjen e atyre republikanëve, që kanë shpehur publikisht shqetësime rreth kursit të konfliktit.

“Duket se Presidenti është i vendosur, nuk dëshëron të pranojë se strategjia e tij ia ka vënë të gjithë barrën ushtrisë dhe nuk është duke dhënë rezultat”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Snou tha se demokratët duhet të falenderojnë trupat për ndryshimet e vërteta të arritura në Irak, në vend që të kërcënojnë për uljen më shumë të numrit të tyre.

“Duket si një përpjekje që të krijohet një situatë politike për të injoruar suksesin e arritur si rezultat i shtimit të trupave gjatë muajve të fundit”.

Një sondazh i opinionit publik, i kryer këtë javë nga agjencia Associated Press, tregon se 58 për qind e amerikanëve besojnë se shtimi i trupave nuk ka ndihmuar në stabilitetin e Irakut. Një sondazh tjetër i këtij muaji i rrjetit televiziv CBS News, tregon se 71 përqind e amerikanëve nuk janë dakort me mënyrën se si Presidenti po e menazhon luftën.

Fjalimi i sotëm i jep zotit Bush një tjetër mundësi për të shtuar përsëri mbështetjen për angazhimin e Amerikës në Irak. //ze//

XS
SM
MD
LG