Lidhje

Obama bën thirrje për tërheqjen e të gjitha trupave nga Iraku deri në fund të 2008-tës


Senatori Obama tha se për Irakun nuk ka zgjidhje ushtarake, madje shtoi se mënyra më e mirë për t’i bërë presion udhëheqësve politikë që të arrijnë ripajtimin politik është fillimi i tërheqjes së menjëhershme të trupave amerikane.

Zoti Obama propozoi që çdo muaj të tërhiqen nga Iraku një ose dy brigada luftarake amerikane deri sa të gjitha forcat amerikane të jenë tërhequr nga Iraku para fundit të 2008-tës.

“Mënyra më e mirë për të mbrojtur sigurinë tonë dhe për t’i bërë presion udhëheqësve irakianë që t’i japin fund luftës civile në vendin e tyre është që të fillohet menjëherë tërheqja e trupave nga Iraku. Jo pas 6 muajsh apo një viti, por tani”.

Senatori demokrat mbrojti gjithashtu një përpjekje diplomatike agresive me angazhimin e vendeve fqinje dhe të Kombeve të Bashkuara për të ndihmuar në stabilizimin e Irakut sapo trupat amerikane të jenë tërhequr.

Zoti Obama i kujtoi audiencës së tij se ai e kundërshtoi luftën në Irak që në fillim, duke bërë kështu të qartë ndryshimin mes tij dhe kandidates kryesore demokrate, senatores Hillari Klinton nga Nju Jorku.

Zonja Klinton mbështeti fillimisht luftën, por tani është kundër strategjisë së presidentit Bush për Irakun.

Sipas dy anketave të opinionit, senatori Obama gëzon mbështetje më të vogël sesa zonja Klinton, respektivisht 25 me 39 përqind dhe 25 me 48 përqind.

Propozimi i senatorit Obama për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku vjen dy ditë pas dëshmisë në Kongres të dy zyrtarëve të lartë të administratës amerikane në Irak, ambasadorit Rajën Krakër, dhe komandantit të lartë të ushtrisë amerikane në Irak, gjeneralit Dejvid Petreas.

Ambasadori Krakër foli po ashtu dje gjatë një konference shtypi këtu në Uashington.

“Që kjo të arrihet do të duhet kohë. Do të duhen shumë përpjekje dhe për këtë do të duhet një vendosmëri e madhe nga ana e irakianëve si dhe amerikanëve.”

Që të dy zyrtarët thanë se gjendja e sigurisë në Irak është përmirësuar që prej shtimit të trupave në fillim të këtij viti, por udhëheqësit irakianë kanë nevojë për më shumë kohë që të arrijnë ripajtimin politik. //ze//

XS
SM
MD
LG