Lidhje

Rusi: Kryeministri i ri mund të bëhet president i ardhshëm


Dhoma e Ulët e parlamenti rus miratoi me shumicë dërrmuese votash kandidatin e propozuar nga presidenti rus Vladimir Putin për postin e kryeministrit. 381 anëtarë të parlamentit votuan në favor të Viktor Zubkovit, 47 kundër dhe tetë abstenuan.

Zoti Zubkov ishte një figurë e panjohur në politikë deri në momentin kur zoti Putin e emëroi si kandidat, pasi shkarkoi të mërkurën kryeministrin Mikhail Fradkov. Zoti Zubkov ishte kreu i Shërbimit Federal të Kontrollit Financiar. Në fjalimin që mbajti para Dumës, ai tha se do të përqendrohej tek forcimi i industrisë ruse të mbrojtjes. Ai tha gjithashtu se do të përqendrohet tek ekonomia dhe tek mbajtja nën kontroll e inflacionit.

Dje, zoti Zubkov tha se nuk po e përjashton mundësinë e kandidimit për president vitin e ardhshëm për të zëvendësuar zotin Putin. Disa analistë perëndimorë thonë se ndryshimet e papritura politike tregojnë se presidenti rus, po ndërmerr hapa për ta ruajtur ndikimin e tij edhe pas zgjedhjeve të marsit 2008, meqenëse kushtetuta nuk e lejon atë vetë të kandidojë për një mandat të tretë.

Me një veprim të papritur, Presidenti rus Vladimir Putin pranoi të mërkurën dorëheqjen e kryeministrit Mikhail Fradkov, duke e zëvendësuar atë me burokratin thuajse të panjohur, Viktor Zubkov që drejton agjencinë ruse të kontrollit të pastrimit të paravre.

66 vjeçari Zubkov nuk ka bazë politike dhe është më shumë i njohur për marrëdhëniet personale me presidentin Putin. Analisti Frances Fukuyama i tha Zërit të Amerikës se duke propozuar një burokrat të panjohur dhe jo një figurë të njohur politike, zoti Putin po përgatit terrenin për të ruajtur ndikimin e tij kur të largohet nga detyra në mars 2008. “Vetë zgjedhjet paraqesin një sfidë interesante për zotin Putin. Në Rusi, nuk ekziston tradita e tërheqjes së një politikani si rasti i Deng Xiapingut dhe e manipulimit të presidentit të ri nga prapa skenës, siç duket se do të bëjë Putini. Ndoshta ai shqetësohet se kabineti aktual do të ishte shumë i pavarur prej tij”. Kushtetuta ruse i ndalon kandidatët të kërkojnë një mandat të tretë për president. Analistët thonë se kryeministri i ri Zubkov mund të jetë duke ndjekur rrugën e Presidentit Putin drejt marrjes së pushtetit: ish-presidenti Boris Yeltsin e emëroi zotin Putin si kryeministër në vitin 1999.

Putin u zgjodh president disa muaj më pas. Vin Weber është kreu i Fondacionit Kombëtar për Demokracinë. “Duket si një veprim për të zgjedhur vetë pasuesin e tij. Mesa duket ai do ta mbajë premtimin për të mos kërkuar një mandat të tretë, por nga ana tjetër ai do të caktojë pasuesin e tij. Duhet të presim të shohim a do të jenë legjitime zgjedhjet, a do të vazhdojë qeveria apo jo të ndërmarrë hapa për të garantuar kurorëzimin e pasuesit që vetë zoti Putin zgjodhi. Për fat të keq kjo duket se po ndodh”. Presidentit Putin, që gëzon një mbështetje prej 70 për qind, i atribuohet merita për konsolidimin e ekonomisë Ruse dhe rritjes së ndikimit global të Moskës, pas një dekade dobësie që pasoi rënien e Bashkimit Sovjetik.

Jennifer Windsor është drejtore ekzekutive e organizatës Freedom House. Ajo thotë se përpjekjet e Preisdentit Putin për të kontrolluar procesin zgjedhor tregojnë se Kremlini është i shqetësuar për rezultatin e zgjedhjeve. “Duket se ai po manovron për të rritur shanset e kandidatit të tij për të fituar zgjedhjet. Por nuk e kuptoj se pse është e nevojshme një gjë e tillë, nëse populli rus i mbështet kaq shumë politikat e tij, siç thotë Presidenti Putin në arenën ndërkombëtare”. Qeveria amerikane e konsideron dorëheqjen e kabinetit rus si një çështje të brendshme. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Sean McCormick tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me cilëndo qeveri të re ruse. //rd//

XS
SM
MD
LG