Lidhje

Presidenti Bush thotë se do të fillojë tërheqja e trupave nga Iraku

  • Skot Stërns
  • Uashington

Presidenti Bush tha se do të fillojë tërheqja e trupave amerikane nga Iraku këtë muaj, për arsye se vendimi tij në fillim të vitit për të dërguar trupa shtesë ka patur sukses. Presidenti tha në fjalimin e tij drejtuar vendit nga zyra e tij në Shtëpinë e Bardhë, se suksesi i arritur nga forcat amerikane në Irak është aryeja që deri në fund të vitit, do të kthehen në shtëpi 5 mijë e 700 trupa nga 160 mijë trupat amerikane në Irak. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, demokratët e opozitës thonë se një numër më i madh trupash duhet të kthehen në atdhe më shpejt dhe se është koha për ta ndryshuar kursin e nisur në Irak:

Presidenti Bush tha se rreth 6 mijë trupa do të kthehen nga Iraku deri në fund të vitit:

"Parimi që udhëheq vendimin tim lidhur me nivelin e trupave në Irak, është që trupat të kthehen bazuar mbi sukesin e arritur. Sa më tepër sukeses që të arrijmë, aq më i madh do të jetë numri i turpave amerikane që do të kthehen në shtëpi, - tha Presidenti.

Sipas planit të ri të Presidentit, numri i trupave amerikane që do të kthehen do të vazhdojë të rritet në vitin 2008, duke e çuar në 130 mijë vetë numrin e forcave amerikane në Irak.

Në fjalimin e tij drejtuar vendit, zoti Bush tha se pakësimi i trupave është tani i mundur, sepse vendimi i tij për dërgimin e trupave shtesë në fillim të vitit, e ka përmirësuar gjendjen e sigurisë në Irak.

Strategjia e Presidentit për kthimin e trupave bazuar mbi suksesin e arritur në Irak, duket se është formuluar me synimin për të patur mbështetjen e ligjvënësve repuzlikanë, përballë përpjekjeve të opozitës për të kthyer menjëherë në atdhe, një numër më të madh trupash.

"Cilësdo partie politike t’i përkasësh, cilido qoftë pozicioni ndaj Irakut, ne duhet të tregohemi të aftë të biem dakord se Amerika ka një interes jetik për parandalimin e kaosit dhe për të çuar shpresën në Lindjen e Mesme. Ne duhet të jemi të aftë të biem dakord se duhet ta mundim Al-Kaidën, t’i kundërvihemi Iranit, ta ndihmojmë qeverinë afgane, të përpiqemi për paqen në Tokën e Shenjtë, dhe të fuqizojmë ushtrinë tonë, në mënyrë që ta fitojmë luftën kundër terroristëve dhe eksremistëve," - tha Presidenti.

Në reagimin e demokratëve ndaj fjalimit të Presidentit, senatori demokrat i Rod Ajlendit, Xhek Rid, tha se ka ardhur koha që kursi në Irak të ndryshojë, duke filluar me pakësimin e menjëhershëm të trupave amerikane prej andej.

"Propozimi ynë nuk mund t’i fshijë gabimet e bëra gjatë katër vjetëve e gjysëm të fundit, por ne mund të përcaktojmë një rrugë më të mirë për të ardhmen. Kjo është arsyeja përse plani ynë përqëndrohet tek kundërterrorizmi dhe stërvitja e ushtrisë irakiane. Kjo nënkupton që diplomacia duhet t’i sjellë grupet sektare në tryezën e bisedimeve dhe t’i trajtojë çështjet rajonale që e përkeqësojnë gjendjen në vend. Kjo kërkon fillimin e tërheqjes së menjëhershme të trupave tona nga Iraku dhe pastaj të përqëndrohemi tek ata që vërtet na shkaktojnë dëme: Al-Kaida dhe grupet terroriste",- tha senatori Rid.

Një anketim i kësaj jave, i kryer nga "Associated Press", tregon se rreth dy të tretat e amerikanëve nuk janë dakord me mënyrën se si e trajton luftën Presidenti. Pikërisht, me fjalimin e mbrëmshëm Presidenti u përpoq ta mbyllë këtë hendek, duke thënë se ata që besojnë tek suksesi në Irak është i nevojshëm për sigurinë e Amerikës, nuk janë shumë larg atyre që besojnë se trupat amerikane duhet të kthehen menjëherë në shtëpi.

"Rruga për të ardhmen që unë përshkrova sonte, bën të mundur për të parën herë në disa vjet, që njerëzit që kanë mbajtur qëndrime të ndryshme në këtë debat të vështirë, të bashkohen."

Presidenti, përsëri u përpoq ta lidhë luftën në Irak me sigurinë brenda vendit, duke thënë se lufta duhet fituar, për shkak të sigurisë së brezave të ardhshëm të amerikanëve. Senatori demokrat Reed tha se ajo që ai e cilësoi “një prani të pakufi ushtarake në Irak”, nuk është një alternativë.

"Demokratët dhe republikanët në Kongres dhe në mbarë vendin, nuk mundet dhe nuk duhte të qëndrojnë duke bërë sehir, ndërkohë që interesat tona në mbarë botën minohen dhe forcat tona të armatosura shfrytëzohen deri në pikën e fundit."

Demokratët thonë se politika e Presidentit për shtimin e trupave nuk ka patur sukese të arrijë atë që ai e cilësoi si objektivin kryesor, për t’u dhënë udhëheqësve irakianë mundësinë, për të arritur pajtimin kombëtar.

Presidenti Bush tha se udhëheqësit irakianë kanë filluar të realizojnë disa arritje, si miratimi i buxhetit, ndarja e të ardhurave nga nafta mes provincave të ndryshme dhe krijimi i mundësisë, që ish-bathistët t’i bashkohen ushtrisë irakiane, apo të marrin pensione qeveritare.//lk

XS
SM
MD
LG