Lidhje

Ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e vonesave me statusin e Kosovës


Një grup ish zyrtaresh dhe ekspertesh amerikanë të çështjeve të Ballkanit, bënë sot thirrje për zgjidhjen e shpejtë të statusit të Kosovës dhe për përjashtimin si mundësi zgjidhjeje të ndarjes së saj. Grupi u bën thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që më 10 dhjetor të shprehin gadishmërinë e tyre për të njohur Kosovën si një shtet të pavarur.

Në dokumentin e hartuar nga Daniel Serwer i Institutit Amerikan të Paqes dhe nënshkruar nga 11 ekspertë dhe ish-zyrtarë të lartë, theksohet se çdo vonesë për zgjidhjen e statusit të Kosovës rrezikon të shkaktojë paqëndrueshmëri.

Ekspertët thonë se skenari i Këshillit të Sigurimit është më i preferuari, por ata shtojnë se ka shumë mundësi që të jetë e nevojshme një rrugë alternative. Ekspertët propozojnë që Shtetet e Bashkuara dhe një grup vendesh të Bashkimit Evropian të njohin sovranitetin e Kosovës menjëherë pas 10 dhjetorit, në këmbim të zbatimit të planit Ahtisaari nga Prishtina. Autori Daniel Serwer tha sot për Zërin e Amerikës se gjithsesi një kompromis i tillë do të ishte një zgjidhje e vështirë teknikisht, por edhe politikisht.

"Fakti është se Prishtina e pranoi planin Ahtisaari, duke menduar se Beogradi dhe Rusia do të binin dakord me të, gjë që nuk ndodhi. Kështuqë në fakt ajo që sugjerohet në këtë dokument që të bëjnë shqiptarët është një lëshim nga ana e tyre, pra që të miratojnë planin Ahtisaari pa marrë në këmbim të saj maksimumin e asaj që ata synonin duke e pranuar atë: pra që Beogradi dhe Moska të binin dakord”.

Autorët e dokumentit paralajmërojnë se vonesat e mëtejshme për marrjen e një vendimi për statusin do të rrisnin rrezikun për trazira dhe paqendrueshmëri, do të krijonin pasiguri dhe do të forconin pozitat e ekstremistëve shqiptarë dhe serbë, duke përgatitur terrenin për një rezultat të pakënaqshëm.

Ekspertët shprehen gjithashtu kundër ndarjes së Kosovës mbi baza etnike. Ata thonë se është e parapëlqyeshme që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të veprojnë së bashku për të vendosur stabilitetin në Kosovë, por ata shprehen se nuk është më realiste të pritet që të arrihet një konsensus i 27 vendeve anëtare, që gjë do të rrezikonte gjithë procesin e statusit.

Ekspertët thonë se Uashingtoni bashkë me sa më shumë kryeqytete evropiane që të jetë e mundur duhet të jenë largpamëse dhe të fillojnë përgatitjet për këtë skenar, në nivel ministrash dhe krerësh shtetesh që në fillim të vjeshtës dhe të tregojnë kurajon që të veprojnë me vendosmëri në dhjetor.

Dokumenti është nënshkruar mes të tjerëve edhe nga Morton Abramowitz, Janusz Bugajski, James O’Brian, Soren Jessen Petersen dhe James Dobbins. //kk//

XS
SM
MD
LG