Lidhje

Sekretari Gejts shpreson për pakësimin e mëtejshëm të trupave në Irak


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, thotë se shpreson që niveli i trupave amerikane në Irak të pakësohet me rreth 100 mijë vetë deri në fund të vitit, një shifër që e tejkalon atë të miratuar kohët e fundit nga Presidenti Bush.

Duke theksuar se po shpreh vetëm shpresën e tij, dhe jo një plan të administratës së Presidentit Bush, sekretari Gejts u tha gazetarëve në Pentagon se kushtet në Irak mund të përmirësohen në nivel të mjaftueshëm, për të lejuar pakësimin e një numri më të madh trupash në vitin 2008, se sa është tani për tani në plan.

Sekretari i Mbrojtjes tha se shpreson që trupat amerikane të mund të pakësohen në rreth 10 brigada luftimi dhe njësi mbështetëse, ose në rreth 100 mijë trupa, deri në fund të vitit të ardhshëm.

Aktualisht ka rreth 169 mijë trupa amerikane në Irak dhe Presidenti Bush bëri të njohur të enjten se ka miratuar një plan të gjeneralit David Petreas, komandanti më i lartë në Irak, për pakësimin e forcave nga 20, në 15 brigada luftimi, deri korrikun e vitit të ardhshëm.

Sekretari Gejts tha se shpreson, që pakësimi i trupave të mund të vazhdojë me të njëjtin ritëm gjatë gjysmës së fundit të vitit 2008.

"Gjenerali Petreas e bëri të qartë se pakësimi i forcave do të vazhdojë përtej korrikut, me ritmin, i cili do të diktohet nga kushtet në Irak. Më tej, unë dua të theksoj se çdo prani ushtarake, amerikane afatgjatë në Irak, që do të duhej të negociohej me qeverinë irakiane, të jetë vetëm një pjesë e vogël e forcës së dislokuar tani për tani."

Sekretari Gejts tha se është shumë herët për gjeneralin Petreas, i cili dëshmoi para Kongresit amerikan në fillim të javës, të parashikojë me suguri çdo pakësim trupash. Gjenerali Petreas ka në plan të bëjë një vlerësim dhe rekomandime të mëtejshme marsin e ardhshëm.

Zoti Gejts tha se interesat në Irak shumë të mëdha dhe se nuk duhet nxituar për t’i tërhequr trupat më shpejt nga miratimi i Presidentit Bush.

"Debati politik dhe ai mes historianëve lidhur me luftën, do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Megjithatë, pasojat e një dështimi të Shteteve të Bashkuara në Irak, do të ishin shkatërrimtare jo vetëm për Irakun, por edhe për rajonin, për Shtetet e Bashkuara dhe botën" ,- tha zoti Gejts

Demokratët në Senatin e Shteteve të Bashkuara kanë plan të zhvillojnë votime javën e ardhshme lidhur me sërë propozimesh që mund ta ndryshojnë kursin në Irak. Një prej tyre, në se miratohej, do ta kufizonte detyrën e trupave amerikane në stërvitjen e forcave irakiane, sigurinë e kufijve të vendit dhe luftën kundër kryengritësve terroristë.

Një tjetër propozim do të bënte të mundur që ushtarët që kthehen nga Iraku, të qëndrojnë në shtëpi për të paktën të njëjtën kohë, sa edhe koha që kanë qenë të dislokuar atje për herë të fundit, para se të kthehen përsëri në fushën e betejës.

Sekretari Gejts i kundërshtoi këto ide, duke thënë se ato mund të shtojnë rrezikun për trupat në Irak.

"Edhe pse këto propozime mund të jenë me synim të mirë, mendoj se realiteti është i tillë, që ato bëhen tepër të vështira për ne për t’u realizuar. Në këtë rast rezultati do të ishte imponimi i vështirësive të vërteta, jo vetëm ndaj forcave tona. Ato, madje, mundet të ndikojnë tek efekshmëria dhe rreziku i luftimeve."

Sekretari Gejts pritet të diskutojë për dislokimin e trupave dhe fondet për luftën gjatë një dëshmie që do të mbajë para Kongresit javën e ardhshme.//lk

XS
SM
MD
LG