Lidhje

Shoqata e Marsit, entuziaste për shkeljen e Planetit të Kuq nga njerëzit


Njerëzit mund të shkelin në sipërfaqen e planetit Mars brenda më pak se 10 vjetëve nëse ia venë vetes këtë qëllim. Ky është mesazhi i Shoqatës së Marsit, një grup shkencëtarësh dhe entusiastësh të hapësirës të cilët u mblodhën kohët e fundit në Los Anxheles.

Ata u mbodhën për t’u takuar me astronautin Buzz Aldrin, një nga njerëzit e parë që shkelën në Hënë dhe për të dëgjuar rreth planeve ambicioze të njerëzve si Elon Musk, një nga shpikësit e Internetit. Ai ka krijuar një kompani të quajtur SpaceX qëllimi i së cilës është të dërgojë materiale në orbitë dhe një ditë të shëtisë turistë në hapësirë.

Shkencëtarët u mblodhën gjithashtu për të marrë frymëzim nga ekspertë si Robert Zubrin, inxhinjeri i projekteve të hapësirës që kryeson Shoqatën e Marsit, një organizatë edukative dhe shkencore pa fitim me degë në 40 vende të botës. Zubrin thotë se njerëzit shkuan në Hënë me teknologji shumë më të thjeshta se ato që kanë sot.

"Ne jemi sot shumë më të përgatitur për të dërguar njeriun në Mars se sa ishim në vitin 1961 kur donim të dërgonim njeriun në Hënë dhe këtë e arritëm 8 vjet më vonë. Po të kemi vullnetin, po të kemi angazhimin e presidentit, si ai që kishte John Kennedy në vitin 1961, ne mund ta dërgojmë njeriun në Mars brenda një dekade."

Zubrin parashikon vendosjen e një baze ekspoluese në Mars dhe një ditë edhe krijimin e vendbanimeve të përhershme atje.

Presidenti Bush është angazhuar se Shtetet e Bashkuara do ta dërgojnë përsëri njeriun në Hënë deri në vitin 2020 dhe Hëna do të përdoret si bazë për udhëtimet në Mars. Problemi kryesor janë fondet prandaj Shoqata e Marsit po i bën thirrje presidentit dhe Kongresit të miratojnë më tepër fonde për eksplorimin e hapësirës.

Misionet robot në Mars i kanë shtuar mjaft njohuritë tona për këtë planet. Dy sonda të agjencisë amerikane të hapësirës, NASA rrotullohen aktualisht rreth Marsit ndërsa dy sonda të tjera robot, të quajtura Spirit dhe Opportunity, vazhdojnë të funksionojnë në sipërfaqen e Planetit të Kuq. Misioni tjetër i NASA-s, Phoenix Lander, u lëshua më 4 gusht dhe do të analizojë akullin në arktikun marsian.

Fuk Li, menaxher i programit për eksplorimin e Marsit në Laboratorin e NASA në Pasadena të Kalifornisë, thotë se njeriu është ende në fazat e hershme të eksplorimit të Marsit.

"Ne ende jemi duke kërkuar për elementët që janë ndoshta të nevojshëm për formimin e jetës. Njëri prej tyre është uji. Dhe njëra nga temat që ka përshkuar eksplorimin tonë gjatë dekadës së fundit është kërkimi i ujit. Pra të përpiqemi të gjejmë se ku dhe kur, në çfarë sasie është uji në Mars."

Në të ardhmen, eksplorimi i hapësirës mund të realizohet jo vetëm nga qeveritë por edhe nga individët apo kompanitë private. Peter Diamandis është njeriu prapa të ashtuquajturit Çmimi X për inkurajimin e fluturimeve private në hapësirë. Ky çmim prej 10 milion dollarësh u fitua në vitin 2004 nga një grup në Kaliforni i drejtuar nga pionieri i fluturimeve hapësinore Burt Rutan dhe i financuar nga miliarderi Paul Allen. Rutan është lidhur me miliarderin britanik Richard Branson për krijimin e një anijeje turistike të hapësirës.

Diamandis ka krijuar kompaninë e vet e cila ofron udhëtime me avionë të cilët simulojnë gjendjen e mungesës së peshës njëlloj si në hapësirë. Ai ka ndihmuar për dërgimin në stacionin ndërkombëtar të hapësirës qytetarë privatë, duke përfshirë milionerin Dennis Tito, me anë të raketave ruse Soyuz. Dhe ka në plan të organizojë një konkurs për krijimin e raketave. Ai thotë se njerëzimi po fillon një epokë të re eksplorimi.
Mundësi të tilla e entusiazmojnë pa masë 22-vjeçaren Emily Colvin. Ajo kryeson Shoqatën e Marsit në Institutin e Teknologjisë në shtetin Georgia, ku studion për një karrierë në shkencat e hapësirës.

"Do të dëshiroja të merresha me reaktorët termobërthamorë për shtytjen në hapësirë megjithëse sot për sot po merrem me studime që lidhen me energjinë bërthamore në tokë për të studiuar sistemet që mund t’i dërgojmë në Hënë ose në Mars për të ushqyer me energji një bazë që mund të ngremë atje."

Ajo thotë se ardhmja e njerëzimit është Marsi dhe planetët e tjerë dhe shpreson të jetë pjesmarrëse e procesit që do t’i çojë njerëzit atje.//kk//

XS
SM
MD
LG