Lidhje

Fjalimi i përjavshëm në radio i Presidentit Bush


Presidenti Bush e përdori sot fjalimin e tij të përjavshëm në radio për të përsëritur strategjinë amerikane në Irak dhe premtimin se disa prej trupave të dislokuara në fillim të 2007-tës do të tërhiqen deri në fund të vitit.

Presidenti tha se ka pranuar rekomandimet e komandantit të lartë amerikan, gjeneralit Dejvit Petreas, për të tërhequr gati 6 mijë trupa nga Iraku.

Zoti Bush vuri gjithashtu në dukje rekomandimin e gjeneralit Petreas për të filluar fazën e ardhshme të strategjisë në Irak në muajin dhjetor, duke ndryshuar funksionin e trupave nga operacionet udhëheqëse në operacionet në partneritet me forcat irakiane.

Anëtari demokrat i kongresit amerikan, Tom Lantosh nga Kalifornia tha në emër të partisë së tij se strategjia e luftës e presidentit ka dështuar. Ai shtoi se pjesa më e madhe e amerikanëve duan që trupat amerikane të tërhiqen nga Iraku.

Duke folur dje me gazetarët, sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gejts, tha se mund të jetë e mundur që numri i trupave në irak të ulët në 100 mijë deri në fund të vitit të ardhshëm.

Sekretari Gejts shprehu besimin se kushtet në teren mund të përmirësohen mjaft për të bërë të mundur shkurtime të mëtejshme trupash, por ai theksoi se po shprehte thjeshtë shpresën e tij dhe jo ndonjë plan specifik të administratës amerikane. //ze//

XS
SM
MD
LG