Lidhje

Policia shqiptare kap sasinë rekord prej 70 kilogramë heroine


Policia shqiptare organizoi mbrëmjen e kaluar një nga operacionet e saj më të mëdha në luftën kundër drogave dhe trafikantëve të tyre.

Nga burimet policore është mësuar se forcat e policisë kanë kapur sasinë rekord, prej afro 70 kilogramë heroinë dhe përzjerës të ndryshëm, si dhe disa trafikantë të kësaj ngarkese. Operacioni filloi në mbrëmje në disa pika, gjatë rrugës Tirane Elbasan dhe në lagjen Kombinat, në perfieri të kryeqytetit.

Gjate orëve të natës operacioni i forcave të antidrogës u shtri edhe në disa lagje të tjera të kryeqytetit, dhe mendohet që numri i të arrestuarve të jetë i madh. Zyrtarët e policisë nuk pranuan të japin informacione për një operacion që është në zhvillim e sipër, për të mos cënuar rezultatet e tij dhe për të mos dëmtuar hetimet.

Kjo është edhe sasia më e madhe, që policia shqiptare ka arritur të kapë ndonjëherë në operacione të organizuara tërësisht prej saj dhe në territorin e Shqipërisë. Sasi të tjera të mëdha droge janë kapur në bashkëpunim me policine italiane dhe atë greke, fale shkëmbimit të informacioneve dhe veprimeve në mbështetje të tyre.

Misionet ndërkombëtare policore, si Asistenca Policore e Komunitetit Evropian, PAMECA, si edhe misioni policor i SHBA-ICITAP, kanë vlerësuar profesionalizmin e policisë shqiptare në goditjen e kriminalitetit në Shqipëri, veçanerisht ndaj krimit te organizuar. Ato janë shprehur se situata e rendit publik ka një përmirësim të dukshëm dhe profesionalizmi i policisë shqiptare po rritet, por ka ende shumë punë për reformimin e këtyre forcave.

Sipas ekspertëve ndërkombetare, sfidat e policisë shqiptare janë të mëdha: kontrolli i kufirit, goditja e drogave dhe krimit të organizuar. Lidhur me kultivimin e bimëve narkotike brenda Shqipërisë, është verejtur një ulje e ndjeshme, sepse bujqit shohin që policia ua prish të mbjellat rregullisht dhe puna e tyre me “canabis sativa” shkon kot.

Lufta kundër drogave po zhvillohet paralelisht si kundër trafikantëve rajonalë të drogave, kultivuesve të tyre, ashtu edhe ndaj shpërndarësve dhe përdoruesve të tyre, pasi veç të tjerash, në Shqipëri ka rreth 40 mijë përdorues të drogave.//lk

XS
SM
MD
LG