Lidhje

Teknologjia e fuqishme e statelitëve spiunë

  • Leta Finsher

Administrata e presidentit Bush po planifikon t’u japë agjencive që kujdesen për zbatimin e ligjit më shumë mundësi që të përdorin teknologjinë e fuqishme të statelitëve spiunë. Departamenti i Sigurisë Kombëtare njofton se këta satelitë do të përdoren për të forcuar sigurimin e kufijve dhe për të ndihmuar ekipet e shpëtimit t’u përgjigjen fatkeqësive natyrore. Por disa ligjvënës dhe grupe për liritë civile thonë se ky program mund të cënojë lirinë personale të amerikanëve.

Shtetet e Bashkuara për disa dekada kanë përdorur satelitë spiunë për të vëzhguar zonat e turbullta në vende të tjera. Gjatë luftës së ftohtë, këta satelitë u përdorën për të fotografuar lëvizjen e tankeve sovjetike.

Teknologjia e vëzhgimit me satelit ka përparuar shumë që nga ajo kohë. Tani, Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka në plan të zbatojë një program të ri që do t’a shtrinte përdorimin e satelitëve me bazë në hapësirë për fotografimin e imazheve edhe brenda vendit.

Çarles Allen, zyrtari i lartë i kundërzbulimit për departamentin e sigurisë kombëtare, i tha kohët e fundit një komisioni të Kongresit se programi do të ndihmojë që vendi t’u përgjigjet një sërë kërcënimeve si nga terrorizmi, imigrimi i paligjshëm e fatkeqësitë natyrore.

“Nën të gjitha këto kushte, veçanërisht në mjedisin me pasiguri në rritje të sigurisë kombëtare, ku ne ndeshemi me kërcënim të madh, është thelbësore që qeveria jonë përdorë të gjitha aftësistë për të siguruar mbrojtjen dhe mirëqënien e shtetasve të saj.”

Por disa ligjvënës argumentojnë se shtetasve do t’u kërcënohen liritë civile nëse administrata e presidentit Bush zbaton me planin për të përdorur satelitët spiunë nga hapësira për të detyruar zbatimin e ligjit.

Ligjvënësja demokrate Jane Harman bëri thirrje për pezullimin e këtij programi derisa zyrtarët e Departamentit të Sigurisë Kombëtare të japin më shumë informacione rreth kornizës ligjore të tij.

“Ajo që më shqetëson është se edhe nëse ky program është hartuar mirë dhe zbatohet me kujdes nga ju, dhe unë besoj se ju kështu do të veproni, megjithatë shqetësohem se ç’mund të ndodhë nëse dikush diku gjetkë në administratë e përdor programin për qëllime të tjera”.

Ligjvënësja Harman thotë se përdorimi i satelitëve të tillë për informata brenda vendit mund të shkelë një ligj që ndalon ushtrinë amerikane të angazhohet për të detyruar zbatimin e ligjit brenda Shteteve të Bashkuara. Tradicionalisht, satelitët spiunë zotërohen dhe përdoren nga Departamenti i Mbrojtjes. Pajisjet e tyre me ndjeshmëri të lartë janë në gjendje të vëshgojnë nga hapësira përtej reve e madje përtej mureve të ndërtesave.

Ligjvënësi republikan Paul Broun shprehu shqetësim se këtij programi i mungojnë masat mbrojtëse ndaj shpërdorimit.

“Besoj se çdo person në këtë komision dëshiron të bindet se ky vend do të qëndrojë i sigurt e i mbrojtur. Por unë për vete nuk dua të heq dorë nga liritë e mia, nga mbrojtja që më jep kushtetuta, nga të drejtat e dhëna nga Zoti, dhe t’ia jap ato agjencisë tuaj ose ndonjë tjetre”.

Para komisionit të kongresit mbi Sigurinë Kombëtare, dhe grupet për të drejtat civile u shprehën kundër programit të vëzhgimit satelitor.

Barry Steinhardt është kryetar i programit të teknologjisë dhe lirisë pranë Bashkimit Amerikan për të Drejtat Civile.

Përdorimi i satelitëve spiunë nga qeveria për të vëzhguar shtetasit e vet, më lejoni të theksoj se ky është për vëzhgimin e popullit amkerikan, jo për vëzhgimin e motit, jo për vëzhgimin e infrastrukturës së vendit, urat apo rrugët, por janë njerëzit që vëzhgohen – kjo përbën një hap shqetësues përpara drejt një shoqërie nën vëzhgim”.

Programi ri do të drejtohet nga Çarles Allen. Ai thotë se imazhet e marra me satelit nga hapësira janë përdorur prej dhjetra vjetësh për qëllime shkencore e klimatike. Ai thotë se kjo teknologji do të përdoret me shumë kujdes dhe nuk do të depërtojë shtëpitë e banimit.

“Këto sisteme nuk do të drejtohen ndaj individëve, sepse sisteme të tilla nuk janë të afta për ta kryer atë nga hapësira”.

Një zyrë e re pranë departamentit të Sigurisë Kombëtare do t’i shqyrtojë kërkesat nga agjencitë civile për të përdorur satelitët spiunë. Programi është planifikuar të fillojë më 1 tetor. //ze//

XS
SM
MD
LG