Lidhje

Greqi: Anketat e opinionit tregojnë për fitoren e partisë së Kryeministrit Karamanlis


Anketat e opinionit në Greqi tregojnë se partia konservatore në pushtet duket se do të dalë fitimtare në zgjedhjet e sotme parlamentare, pasi deri tani ka fituar mbi 42 përqind të votave.

Socialistët e opozitës pritet të zënë vendin e dytë, duke fituar gati 39 përqind të votave.

Rezultatet paraprake tregojnë se Partia konservatore Demokracia e Re mund të fitojë një numër të mjaftueshëm në parlamentin me 300 vende për të formuar e vetme qeverinë. Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve priten nesër.

Kryeministri Kostas Karamanlis bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme, me besimin se arritjet e qeverisë së tij në ekonomi do t’i siguronin atij fitoren me lehtësi. Por fushata u intensifikua pas kritikave në adresë të qeverisë se nuk iu përgjigj me shpejtësinë e duhur zjarreve muajin e kaluar, nga të cilët humbën jetën 65 veta dhe u dogjën shumë fshatra dhe pyje.

Fushata elektorale përfundoi dje me manifestime masive. Kryeministri Karamanlis tha se i duhej një fitore e qartë në mënyrë që të vazhdonte reformat e tij ekonomike.

Në një manifestim tjetër, udhëheqësi i opozitës Jorgo Papandreu, tha se qeveria e tanishme nuk ka përmbushur premtimin e saj për të luftuar korrupsionin.

Gati 10 milion grekë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e sotme parlamentare. //ze//

XS
SM
MD
LG