Lidhje

Nënpresidenti Çeni dhe roli i tij si numri dy i administratës


Ngaqë roli i zv. Presidentit është i paqartë në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, çdo njeri në këtë pozicion, veçanërisht në administratat e fundit, e ka pozicionuar vetveten deri në pikën që ia ka lejuar Presidenti. Në rastin e zv.Presidentit Dick Cheney, ai ishte një arkitekt i rëndësishëm për luftën kundër terrorizmit dhe të asaj në Irak, dhe ka luajtur një rol të veçantë formulimin e politikës së brendshme. Ndikimi i zotit Cheney ka qenë kaq i madh, sa që shumë studiues e konsiderojnë atë si zv. Presidenti më i fuqishëm në historinë e Amerikës moderne.

Si zëvendësi i Presidentit Bush, Dick Cheney ka sjellë një eksperiencë të pasur në këtë pozicion. Si ish-shef i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë i kohës kur ishte President Gerald Ford, ish-kongresmen i shtetit perëndimor Uajoming, dhe Sekretar i Mbrojtjes gjatë mandadit të babait të Presidentit Bush, zoti Cheney e di mirë se si funksionon Washingtoni.

Dhe kjo mund të jetë arsyeja, pse kur Zoti Bush kandidoi për President në vitin 2000, zgjodhi zotin Cheney që të jetë kandidati për zv. President.

"Dick Cheney është një njeri i mirë, i cili është i pëlqyeshëm dhe i respektueshëm nga kolegët e tij. Unë jam i krenar ta quaj atë mikun tim”.

Stephen Hess, ekspert i historisë së presidentëve në Insitutin Brukings në Washington, thotë se pati faktorë të ndryshëm që e bënë zotin Cheney zëvendësi ideal për Presidentin Bush.

“Ishte e qartë që në fillim, se Dick Cheney nuk do të kandidonte për të qenë pasues i Presidentit. Kështu që, interesat e tyre kurrë nuk u ndanë, siç ndodh shpesh. Në ekipin Klinton-Gore, pas pak kohësh, u bë e qartë se Gore kishte interesa të veçanta si zv. President, duke pritur që të bëhej President. Kjo, në rastin Bush-Cheney nuk ndodhi. Së dyti, George W. Bush, i cili nuk kishte eksperiencë në shkallë kombëtare; eksperienca e tij kufizohej vetëm si guvernator i një shteti; për këtë arsye, ai zgjodhi Dick Cheney-n veçanërisht për shkak të eksperiencës së tij të madhe në shkallë kombëtare dhe si funksiononin gjërat në Washington”.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara nuk përcakton ndonjë rol specifik për zv. Presidentin, me përjashtim që të drejtojë Senatin dhe të japë votën e tij kur numri i votave të të dyja partive, kur votohet për një çështje, janë të barabarta. Sidoqoftë, zv. Presidentët, me kushtetutë, zenë vendin e Presidentit, ku ky vdes, ose largohet nga detyra para përfundimit të mandatit.

Zv. Presidentët e kaluar kanë udhëtuar shumë në vende të ndryshme, ku përfaqësonin Presidentin. Dhe pavarësisht se nuk kishin autoritetin zyrtar, disa janë kujdesur për disa probleme specifike me interes duke punuar për Presidentin, si Al Gore, i cili drejtoi politikën e Presidentit Bill Clinton për ambientin.

Por, Dick Cheney, zv. Presidneti i 46-të, duket se ka patur shumë ndikim në shumicën e vendimeve të politikës së brendëshme dhe të jashtme, në fusha që nga lufta kundër terrorizmit, deri tek politikat për energjinë.

Këto fusha përfshijnë luftën në Irak, marrja në pyetje dhe trajtimi i të dyshuarve terroristë dhe përzgjedhja e kandidatëve të mundshëm për në Gjykatën e Lartë.

Detaje të sakta rreth punës dhe marrëdhënieve personale midis Presidentit Bush dhe zëvendësit të tij nuk janë bërë të njohura publikisht. Por i pyetur kohët e fundit për të komentuar për këtë çështje, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino u shpreh në këtë mënyrë:

“Unë mendoj se Presidenti beson se zv. Presidenti është këshilltari më i afërt dhe më i besuar, dikush që nuk ka asgjë tjetër në zemrën e tij veçse interesat më të mira të vendit”.

Por, një përpjekje e njohur gjerësisht në shtyp mbi një përpjekje të zotit Cheney në fillim të këtij viti, për të mos përfillur një urdhër ekzekutiv për trajtimin e informacioneve sekrete, ka ngjallur kritika për zv. Presidentin. Reputacioni i tij, gjithashtu ka pësuar rënie si pasojë e dënimit të ndihmësit të tij kryesor, Lewis “Scooter” Libby, i akuzuar për mohim të së vërtetës rreth një çështjeje për nxjerrjen e një sekreti të CIA-s, ku identiteti i një oficereje të fshehtë iu bë i njohur shtypit.

Por, analistët thonë, se pavarësisht nga këto kritika ndaj zëvendëspresidentit, për sa kohë që ai gëzon besimin e Presidentit Bush, Dick Cheney duket se vazhdon të ketë fuqinë e pushtetit në Washington. //kk//

XS
SM
MD
LG