Lidhje

60 vjetori e gjen CIA-n përsëri në qendër të debateve


Të martën Agjencia Qendrore e Zbulimit, CIA mbush 60 vjet. Agjencia ka pasur një histori të larmishme dhe shpesh herë është vendosur në qendër të debateve.

Sulmi i befasishëm i Japonisë në Pearl Harbour më 7 dhjetor 1941 konsiderohet gjerësisht si momenti vendimtar për krijimin e një agjencie amerikane qendrore zbulimi.

Ish-zyrtari i CIA-s Eugene Poteat thotë se informacioni për të paralajmëruar se japonezët do të sulmonin kishte qenë i mjaftueshëm, por ishte i shpërndarë në sektorë të ndryshëm të qeverisë amerikane dhe nuk ishte caktuar askush për ta koordinuar atë.

"Ne u kapëm në befasi. Ne kishim gjithë informacionin e duhur të zbulimit, por ishte shpërndarë në aq shumë agjenci, saqë ishte e pamundur që të mblidhej. Me fjalë të tjera, edhe në atë kohë, ne nuk mund të bënin të gjitha lidhjet e nevojshme”.

Si rezultat Presidenti Franklin Roosevelt krijoi Zyrën e Shërbimeve Strategjike, për të kryer veprimtarinë e spiunazhit dhe sabotazhit në territoret nën pushtimin gjerman dhe japonez.

Zyra e Shërbimeve Strategjike u mbyll në vitin 1945. Por si para mbylljes së saj, ashtu edhe pas luftës, shefi i Zyrës së Shërbimeve Strategjike William Donovan bëri përpjekje të mëdha lobiste për një agjenci zbulimi të pasluftës që do të merrte masat që udhëheqësit amerikanë të mos merrnin vendime politike pa pasur gjithë informacionin e nevojshëm.

Më 18 shtator, 1947, u krijua CIA me miratimin e Ligjit për Sigurimin Kombëtar nga Kongresi dhe nënshkrimin e tij nga Presidenti Truman.

Ish-zyrtari i CIA-s Peter Earnest, që tani drejton Muzeun Ndërkombëtar të Spiunazhit në Uashington, thotë se CIA e viteve të para, ishte një institucion i ndryshëm dhe më energjik gjatë Luftës së Ftohtë, sesa tani.

“Ishte një atmosferë marramendëse. Tendenca ishte tek kryerja e misioneve të spiunazhit. Ne vërtet ndjeheshim se ishim në pararojë të përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara në Luftën e Ftohtë, qoftë përsa i takon mbledhjes së informacioneve të zbulimit, ashtu edhe në misionet sekrete, pra përballja me sovjetikët kudo që ishin”.

Por CIA është bërë objekt kritikash për gabime në zbulim, si për shembull fakti që nuk arriti të parashikonte rënien e Bashkimit Sovjetik dhe përfundimi i gabuar se Saddam Husseini kishte armë të shkatërrimit në masë.

Në librin e tij për historinë e CIA-s “Trashëgimia e fantazmave”, gazetari Tim Weiner thotë se bilanci për aktivitetin e agjencisë nuk është edhe aq pozitiv.

Zoti Weiner thotë se CIA nuk e ka as përvojën e as durimin e agjencive të vendeve si Britania dhe Rusia që gjatë gjithë historisë së tyre i kanë dërguar agjentët e tyre në vende të huaja për periudha të gjata.

“Ata jetonin atje për vite me radhë. Mësonin gjuhën dhe bëheshin pjesë e jetës politike. Ne nuk e bëjmë këtë. Ne i dërgojmë njerëzit me radhë për dy vjet”.

Ish zv/drejtori i CIA-s John McLaughlin e pranon se ka pasur dështime në zbulim, por shton se gazetari Weiner është treguar i padrejtë ndaj agjencisë.

"CIA është kritikuar më shumë se ç’duhet. Kjo nuk do të thotë se është një institucion i përkryer, sepse në këtë lloj pune nuk ka perfeksion. Ndryshe nga sektori privat, në punën e CIA-s nuk ekziston koncepti i fitimeve dhe humbjeve. Si mund t’i llogarisësh 100 suksese përballë një dështimi?”.

Zoti McLaughlin e vë theksin tek reagimi i shpejtë i CIA-s në Afganistan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe asgjësimit të rrjetit të përhapjes së armëve bërthamore të A.Q. Khanit, si shembuj susksesesh të padiskutueshme.

Por 60 vjet pas sulmit në Pearl Harbour dhe miliarda dollarësh të shpenzuara për zbulim, ndodhën sulmet e 11 shtatorit, 2001. Debati për dështimin e zbulimit të planeve për sulmet vazhdon ende.

Pothuajse gjysma e punonjësve aktualë të CIA-s është marrë në punë pas 11 shtatorit 2001. Është koha e një brezi të ri agjentësh dhe analistësh, ekspertë kompjuterash, të cilët punojnë me një teknologji që spiunët e Luftës së Ftohtë nuk e kishin imagjinuar ndonjëherë më parë. //kk//

XS
SM
MD
LG