Lidhje

Prishtina ofron traktat fqinjësie të mirë me Serbinë në bisedimet e Londrës


Ekipi i negociuesve të Prishtinës për statusin e Kosovës shkon në Londër me një traktat të fqinjësisë së mirë më Serbinë me të cilën dëshiron të shmangë bisedimet për pavarësinë e Kosovës e cila sipas ekipit është e panegociueshme. Ky dokument ka marrë sot formë përfundimtare dhe të mërkurën do të hidhet në tryezën e bisedimeve me treshen e Grupit të Kontaktit. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha sot se ky traktat përçon mesazhin e gatishmërisë për fqinjësi të mirë por edhe ofron garanci për respektimin e tërësisë tokësore të vendeve fqinje në rajon.

Për ne është me rëndësi që temat që kemi ofruar në të, temat bosht që janë disa prej tyre, janë ato që kanë të bëjnë vërtetë për një garancion të rëndësishëm për të ardhmen e qytetarëve të njërit vend dhe vendit tjetër, të komunikimit më të lehtë të qytetarëve dhe të mallrave që është shumë esencial, liria e lëvizjes dhe shumëçka tjetër dhe që lidhet si pjesë e ofertës tonë për qasjen që kemi për integritetin tonë si shtet sovran dhe i pavarur dhe pa pretendueshmërinë tonë apo qasjet tona se dëshirojmë të respektojmë edhe integritetet e secilit vend përreth nesh”, tha presidenti Sejdiu.

Kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha se ky traktat jep mesazhin se Prishtina nuk është e gatshme as të bisedojë për çështjen e statusit dhe as të bëjë lëshime tjera.

Me këtë traktat dëshirojmë të imponojmë që të bisedohet për çështje përtej statusit, për çështjet përtej pavarësisë dhe pavarësia të konsiderohet si çështje e kryer dhe as të mos diskutohet. Ne assesi nuk do ta diskutojmë pavarësinë apo çështjet tjera që janë në vija të kuqe. Ne do të përpiqemi me këtë qasje, me këtë platformë, të dëshmojmë vullnetin tonë të mirë dhe të japim kontributin tonë në ndërtimin e paqes e stabilitetit në rajon dhe të dëshmojmë se Kosova do të jetë një forcë për të mirë në ruajtjen e paqes por edhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha kryeministri Çeku.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi tha se ekipi i unitetit është i bashkuar në qëndrimin e tij ndaj rrjedhës së procesit të negociatave për të ardhmen e Kosovës.

Është një ofertë shtetërore e Kosovës për autoritetet e Beogradit për të ardhmen e të dy vendeve tona, ndërsa çdo rrethane ne do t’i përgjigjemi në mënyrën më pozitive të mundshme në koordinim me partnerët tanë Washingtonin dhe Brukselin për vendimet e ardhshme që do t’i marrim. Por çdo vendim që do të nxirret do të jetë plotësisht në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran natyrisht me një prezencë të lehtë civile ndërkombëtare fillimisht dhe prezencë të NATO-s”, theksoi zoti Thaçi.

Prishtina beson se 10 dhjetori do të jetë fundi i procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe pas asaj ditë pret fillimin e njohjes ndërkombëtare të këtij statusi. Beogradi ndërkaq pret që nesër në takimin me treshen ndërkombëtare të argumentojë kundër pavarësisë së Kosovës. Nga fundi i këtij muaji të dyja palët pritet të takohen në Nju Jork. //kk//

XS
SM
MD
LG