Lidhje

Rusia përsëriti sot kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës


Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov, ritheksoi përsëri sot kundërshtimin e vendit të tij ndaj pavarësisë së Kosovës.

“Unë nuk e kuptoj se si shpallja e pavarësisë në mënyrë të njëanshme nga Kosova do të stabilizonte situatën në Evropë. Ajo do të shkaktonte një reaksion zinxhir në rajone të ndryshme të Evropës dhe botës.”

Zyrtari rus i bëri këto komente në Moskë pas takimit me Ministrin e Jashtëm të Francës Bernard Kushner. Ministri francez nga ana e tij theksoi se bisedimet për të ardhmen e Kosovës nuk mund të zgjasin pafundësisht.

Komentet bëhen ndërsa treshja ndërkombëtare takohet sot dhe nesër në Londër me përfaqësues të Serbisë dhe Kosovës. Një prej ndërmjetësve, Volfgang Ishinger, përfaqësues i Bashkimit Evropian, tha gjatë një interviste për gazetën britanike “Independent” se palët duhet të heqin dorë nga etiketime të tilla si pavarësia.

Palët, thekson ai, duhet të arrijnë një zgjidhje që të ofrojë “status të mbikqyrur nga komuniteti ndërkombëtar për Kosovën”. //ze//

XS
SM
MD
LG