Lidhje

BE-ja nënshkruan marrëveshje për vizat me 5 vende të Ballkanit


Bashkimi Evropian nënshkroi sot marrëveshje për lehtësimin e vizave me 5 vende të Ballkanit, duke e bërë më të lehtë dhe më pak të kushtueshme për qytetarët e këtyre vendeve që të udhëtojnë në bllokun me 27 vende.

Marrëveshjet u nënshkruan sot në Bruksel me Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë. Në një deklaratë të BE-së thuhej se këto 5 vende ranë gjithashtu dakord të marin shtetasit e tyre, që gjehen se jetojnë ilegalisht në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Franco Frattini, tha se zbatimi i këtyre marrëveshjeve dhe një përparim i dukshëm në fushat si Drejtësia, Liria dhe Siguria, do t'i krijojë Komisionit mundësinë për të strukturuar një regjim të lirë të vizave për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn shtoi se këto marrëveshje ndihmojnë kontaktet njerëzore mes qytetarëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, duke u bërë edhe një provë se Bashkimi Evropian është plotësisht i angazhuar në perspektivën evropiane të rajonit.

Marrëveshjet që hyjnë në fuqi nga 1 janari i ardhshëm u arritën në afatin më të shpejtë të mundshëm nga BE dhe vec lehtësive të tjera parashikojnë edhe përgjysmimin e tarifave për viza deri në 35 euro. //ze//

XS
SM
MD
LG