Lidhje

Drejtori i Zbulimit Kombëtar kërkon të ruhen kompetencat për  përgjimin e të huajve


Drejtori i Zbulimit Kombëtar në Shtetet e Bashkuara, Mike McConnell u kërkoi ligjvënësve që të mos i dobësojnë kompetencat që Kongresi miratoi në gusht, kur zgjeroi aftësitë e qeverisë për të kryer përgjime elektronike për të parandaluar sulmet terroriste. Para se të fillonte pushimet në gusht, Kongresi miratoi Ligjin për Mbrojtjen e Amerikës.

E miratuar me votat e Republikanëve dhe Demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, masa e re u votua pas një fushate intensive të administratës së Presidentit Bush për të ndryshuar ligjin e vitit 1978 të quajtur Akti për Përgjimin e të Huajve.

Presidenti Bush dhe drejtori i Zbulimit Mike McConnell thanë se me këtë ligj në fuqi, ishin krijuar probleme serioze për mbledhjen e informacionit të zbulimit jashtë Shteteve të Bashkuara për shkak të ndryshimeve teknologjike, duke e bërë Amerikën më të ekspozuar ndaj sulmeve.

Sipas ndryshimeve, lejohet mbajtja nën vëzhgim pa urdhër gjykate e komunikimit të një personi që autoritetet besojnë se është jashtë Shteteve të Bashkuara edhe nëse komunikimi është me një shtetas amerikan, me kusht që ky i fundit të mos jetë objektivi i përgjimit.

Megjithëse shumë anëtarë të Kongresit kishin rezerva ndaj ndryshimeve të propozuara nga administrata, ata i miratuan ato por vetëm për gjashtë muaj.

Kreu i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, John Conyers e quan këtë masë të hartuar nga administrata shumë të zgjeruar, duke theksuar se i jep shumë pushtet qeverisë.

“I jep mundësi qeverisë që të përgjojë të gjitha komunikimet në formë elektronike të qytetarëve amerikanë me këdo që mendohet se është jashtë Shteteve të Bashkuara në atë moment. Mund të bëhet fjalë për gazetarë, zyrtarë të zgjedhur dhe armiq politikë të administratës për shembull”.

Conyers dhe demokratë thonë se kjo masë e përkohshme mund të çojë në shkeljet e jetës private, që mund të përfshijnë të dhëna biznesi, dosje bibliotekash dhe postën personale, dhe qeveria do të duhet të tregojë thjesht përfshirjen e një terroristi jashtë vendit.

McConnell u përpoq t’i zbuste këto shqetësime duke thënë se ndryshimet kanë ndihmuar deri tani në mbylljen e atyre që ai i quajti boshllëqe të rëndësishme të informacioneve të huaja sekrete, duke shtuar se kërcënimet që përbëjnë grupet terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara janë të vërteta:

“Prirjet e globalizimit dhe teknologjia vazhdojnë të bëjnë të mundur që edhe grupe të vogla njerëzish të huaj të lidhen me njëri tjetrin, të justifikojnë dhe të nxisin zemërimin e tyre, dhe të mobilizojnë forca për një sulm. Pra, të gjitha këto pas pasur nevojë për një organizatë qendrore terroriste, stërvitje apo udhëheqës. Ky është një kërcënim me të cilin ne po përballemi sot dhe që komuniteti ynë i shërbimeve sekrete nuk e ka të lehtë t’i kundërvihet.”

Prej tani deri në muajin shkurt kur skadon afati i ligjit Mbrojtja e Amerikës, mund të priten shumë negociata të vështira për dispozita shtesë të kërkuara nga administrata.

Ndihmës prokurori i përgjithshëm Kenneth Weinstein i bën thirrje ligjvënësve t’i bëjnë të përhershme ndryshimet e miratuara deri tani dhe të fusin në fuqi shtesa të mëtejshme.

Ai u përpoq gjithashtu të zbusë shqetësimet se miratimet për survejimin e individëve të huaj mund t’i bëjnë amerikanët më të ekspozuar ndaj përgjimit dhe prekjes së jetës private.

“Sipas këtij statuti ne nuk mund ta bëjmë këtë sepse nuk lejohet. Sipas klauzolave që parashikonte ligji për Përgjimin e të Huajve, ne nuk mund të mbajmë nën mbikqyrje pa vendim gjykate dikë në Shtetet e Bashkuara dhe nuk do ta bëjmë një gjë të tillë”.

Wainstein thotë se administrata i mirëpret sugjerimet e anëtarëve të Kongresit për ndryshime të mëtejshme para se Ligji për Mbrojtjen e Amerikës të votohet në shkurt për t’ia zgjatur afatin, por ai thotë se këto ndryshime nuk duket të jenë të natyrës kufizuese. //kk//

XS
SM
MD
LG