Lidhje

Kosovë: Ndërpritet gjykimi ndaj Albin Kurtit


Sot në Prishtinë filloi dhe u ndërpre gjykimi kundër Albin Kurtit, udhëheqës i lëvizjes Vetëvendosja, një lëvizje e cila kundërshton negociatat për statusin politik të Kosovës.

Zoti Kurti akuzohet për siç thuhet, pjesëmarrje dhe udhëheqje të turmës që ka kryer veprime kriminale, pjesëmarrje në grup që ka penguar punën e zyrtarëve dhe thirrje për rezistencë. Zoti Kurti ka deklaruar sot në gjyq se nuk e pranon trupin gjykues të përbërë nga gjykatës ndërkombëtarë dhe as avokatin mbrojtës të caktuar nga gjykata. Gjyqi është shtyrë për një kohë të pacaktuar derisa të vendoset nëse do të ndryshojë apo jo trupi gjykues.

Albin Kurti u arrestua më 10 shkurt të këtij viti pas një proteste të lëvizjes së tij. Dy veta humbën jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë ndërhyrjes së policisë për të shpërndarë protestuesit. Një prokuror amerikan ka konstatuar se dy protestuesit kanë humbur jetën nga plumbat e kauçukut të përdorura nga njësia e policisë rumune.

Zoti Kurti, lëvizja e të cilit kërkon pavarësi pa negociata, përsëriti sot qendrimin se mbajtja e tij në arrest shtëpie është përpjekje për të ndalur çdo zë opozitar në Kosovë. //rd//

XS
SM
MD
LG