Lidhje

Në Kosovë shtohen masat e sigurisë


Ushtarët e NATO-s shtuan masat e sigurisë përreth zonave të banuara me popullsi kryesisht serbe. Në Kosovën jugore, ushtarët irlandezë në kuadër të NATO-s, u panë duke patrulluar rrugët dhe duke biseduar me popullsinë lokale.

Ndërkohë në Kosovën veriore, ministri danez i mbrojtjes, Soren Gade, vuri në dyshim mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur shqetësim rreth shpërthimit të dhunës në rajon.Gjatë një vizite të shkurtër për t’u takuar me trupat daneze, që shërbejnë në kuadër të misionit paqëruajtës të NATO-s, zoti Gade shfaqi shpresë që bisedimet shtesë të japin rezultat.

“Shpresoj dhe lutem që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje përfundimtare dhe kështu të mos shohim më dhunë. Megjithatë, në fund të fundit jam i shqetësuar sepse mund të ndodhë që jo të gjitha palët të pranojnë e respektojnë marrëveshjen në dhjetor”.

Në Prishtinë, banorët vendas e shikuan me dyshim mundësinë e një rezultati pozitiv nga bisedimet.

“Bisedimet shtesë midis Prishtinës e Beogradit nuk ka të ngjarë të japin ndonjë rezultat, duke pasur parasysh faktin se të dyja palët kanë pikpamje diametrikisht të kundërta”, tha Naser Myftari, analist.

Ai shprehu gjithashtu besimin se plani Ahtisari krijon kushte pozitive për statusin final të Kosovës dhe mund të jetë një pikë-nisje për përcaktimin e vetë statusit.

Ndërsa udhëheqësit e Kosovës kanë thënë vazhdimisht se pavarësia është e panegociueshme, negociatori gjerman, Volfgang Ishinger i tha dje gazetës britanike 'The Independent' se ai do ta linte të hapur çështjen e pavarësisë dhe do të përqëndrohej në bisedimet mbi një status të mbikqyrur rreptësisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Serbia dhe Rusia vazhdojnë të kundërshtojnë me këmbëngulje pretendimet e Kosovës për pavarësi të plotë nga Serbia.

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi dje Perëndimin që të mos nxitohet në marrjen e një vendimi mbi pavarësinë e Kosovës, duke thënë se Prishtinës e Beogradit nuk duhet t’u vihen afate artificiale për arritjen e një zgjidhjeje.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, u shprehën me anë të një deklarate se Plani Ahtisari përbën alternativën më të mirë, nëse nuk arrihet një kompromis tjetër deri në dhjetor. //ze//

XS
SM
MD
LG