Lidhje

Komision i përbashkët amerikano-irakian për rolin e firmave private të sigurisë


Qeveria amerikane dhe ajo irakiane po ngrenë një komision të përbashkët për të shqyrtuar rolin e debatueshëm të kompanive private të sigurisë që veprojnë në Irak. Kjo masë pason një incident vdekjeprurës të dielën, shkaktuar nga kontraktorët e firmës amerikane e sigurimit Blackwater.

Zyrtarët thonë se komisioni i përbashkët nuk do të hetojë incidentin e të dielës, që është bërë subjekt i hetimeve paralele nga Shtetet e Bashkuara dhe Iraku.

Por ata thonë se komisioni do t’i përdorë përfundimet për këto hetime në përpjekje për të hartuar politika të reja për të koordinuar kontraktorët e qeverisë që janë akuzuar vazhdimisht se nuk janë mbajtur përgjegjës për veprimet e tyre në Irak që përfshijnë mbrojtjen e diplomatëve amerikanë.

Të paktën 11 irakianë u vranë të dielën në një incident me kontraktorët e firmës Blackwater që mbronin një autokolonë diplomatike amerikane në një zonë të Bagdadit pranë Zonës së Gjelbër.

Zyrtarët irakianë thonë se rojat e kompanisë Blackwater hapën zjarr pa dallim pasi breshëri mortajash goditën pranë automjeteve të tyre. Kompania me qendër në Karolinën e Veriut thotë se punonjësit e vet vepruan në përputhje me ligjet ndaj sulmit armiqësor.

Ky rast ka lënë gjurmë në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Irakut dhe e ka drejtuar vëmendjen në rregullat e paqarta dhe kontradiktore për punën e kontraktorëve dhe statusit të tyre ligjor në Irak.

Zëvendës Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Tom Casey u tha gazetarëve se komisioni i përbashkët do të përpiqet që t’i trajtojë këto çështje, disa prej të cilave ekzistojnë prej kohësh, që dolën në pah nga incidenti i së dielës.

“Kjo tregon që ne dhe irakianët jemi të angazhuar të punojmë së bashku si për të bashkërenduar veprimet e tyre dhe për të reaguar ndaj incidentit konkretm si edhe për të shqyrtuar çështjet më të gjera të veprimtarisë për të krijuar kushtet e sigurisë personale në Irak. Kështuqë mendoj se kjo gjë tregon edhe një herë që ne po punojmë dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku për këtë çështje dhe duam të arrijmë në disa rekomandime dhe zgjidhje të përbashkëta që secila nga qeveritë të jetë në gjendje t’i realizojë”.

Zyrtarët irakianë thanë të martën se operacionet e kompanisë Blackwater në Irak janë pezulluar. Ambasada amerikane në Irak bëri të ditur menjëherë pas këtij njoftimi se ka ndaluar përkohësisht lëvizjet e autokolonave diplomatike jashtë zonës së gjelbër, mbrojtja e të cilave realizohet përgjithësisht nga personeli i kompanisë Blackwater.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Dana Perino shprehu përsëri keqardhjen e Shteteve të Bashkuara për vdekjen e njerëzve të pafajshëm të dielën, por theksoi nga ana tjetër se zyrtarët irakianë që veprojnë në ambjentin e rrezikshëm të Irakut kanë nevojë për mbrojtjen e kompanisë Blackwater dhe firmave të tjera.

Në një zhvillim tjetër, Departamenti i Shtetit njoftoi se diplomati amerikan me përvojë James Foley është emëruar nga Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice si koordinator i lartë për çështjet e refugjatëve të Irakut. Zoti Foley ja qenë ambasador në Haiti.

Mandati i tij parashikon mes të tjerash eliminimin e pengesave burokratike që kanë të bëjnë me Departamentin e Shtetit dhe atë të Sigurisë Kombëtare të cilat kanë ngadalësuar pranimin në Shtetet e Bashkuara të refugjatëve irakianë.

XS
SM
MD
LG