Lidhje

Bie mbështetja e publikut amerikan për nxitjen e demokracisë në botë


Presidenti Bush e ka bërë nxitjen e demokracisë, një nga parimet bazë të politikës së tij të jashtme. Megjithatë siç sugjerojnë njoftimet e lajmeve, mbështetja e publikut amerikan për nxitjen e demokracisë në vendet e huaja po bie.

Mposhtja e terrorizmit dhe përhapja e demokracisë janë synimet kryesore të administratës së presidentit Bush. Zoti Bush tha se interesat e sigurimit kombëtar amerikan varen tek nxitja e demokracisë globale, pasi vendet demokratike nuk hyjnë në luftë me njëra tjetrën.

Ndërkohë në një raport të ri thuhet se politikat e presidentit Bush kanë bërë që mbështetja e publikut për nxitjen e demokracisë, si një objektiv të politikës së jashtme amerikane, të bjerë historikisht në nivelin më të ulët – 30 përqind: "Politika e presidentit Bush i ka shkaktuar dëme të mëdha legjitimitetit të nxitjes së demokracisë në sytë e botës dhe të publikut amerikan. Indentifikimi konstant i nxitjes së demokracisë me luftën në Irak, një luftë mbi terrorizmin që duket se përfshin shkelje serioze ndaj shtetit ligjor, ka njollosur gjithë synimin".

Thomas Carothers, autori i raportit “Nxitja e Demokracisë Amerikane – Gjatë dhe Pas Bushit” është kritik i ashpër i arritjeve të presidentit Bush në avancimin e lirisë. Ai thotë se interesat e sigurimit, siç është lufta kundër terrorizmit dhe nevojat e Amerikës për energji e kanë bërë administratën e presidentit Bush të bashkëpunojë me më shumë se gjysmën e 45 vendeve jo të lira në botë, sipas klasifikimit të raportit të vitit 2006 nga Freedom House.

Megjithatë disa analistë theksojnë se një numër vendesh kanë shijuar demokracinë për herë të parë gjatë administratës së presidentit Bush. "Kjo administratë do të njihet eventualisht për ngritjen në nivelin më të lartë të Amerikës përsa i përket nxitjes së demokracisë, në një kohë shumë shumë të vështirë në historinë amerikane". Vin Weber, i cili drejton organizatën Fondi Kombëtar për Demokraci thotë se rënia kohët e fundit e demokratizimit global nuk lidhet me administratën e presidentit Bush. Ai thotë se disa nga prirjet ndërkombëtare – si dalja e Rusisë dhe e Kinës në pozicione gjysëm-autokratike – u jep nxitje diktatorëve të tjerë, duke e bërë këtë një dekadë të vështirë për përparimin e demokracisë.

Analisti Steven Sestanovich thotë se ndërsa nxitja e demokracisë mund të trazohet nga angazhimi amerikan në Irak, ajo është larg dështimit. Ai thotë se mbështetja për lirinë është një traditë e hershme amerikane: "Besoj se sfida e tanishme për politikën amerikane, ashtu si edhe për politikën evropiane është gjetja e rrugëve për të mbështetur institucionet demokratike pa u dashur të bëhet thirrje për bindjen e një vendi tjetër".

Eksperti i politikës së jashtme Frances Fukuyama thotë se rënia e mbështetjes për përpjet amerikane për demokraci është një tendencë e përkohëshme: "Kam mendimin se kjo do të zhduket kur Irakut të mos jetë më çështja kryesore". Fukuyama thekson se ndërsa jo të gjitha autokracitë kanë qënë armiq të Shteteve të Bashkuara, çdo armik i Amerikës ka qënë një autokraci. Eksperti thekson se transformimi demokratik i Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë pas Luftës së Dytë Botërore e bënë Amerikën më të sigurtë. //rd//

XS
SM
MD
LG