Lidhje

Profili i kandidatit demokrat për President Xhon Eduards


Njeriu që Partia Demokrate ne Shtetet e Bashkuara zgjodhi për kandidatin e saj per nën-president në vitin 2004, tani është përsëri në garë. Xhon Eduards, nga shteti i Karolinës së Veriut, djalë i një punëtori në një fabrikë mielli, një jurist i sukseshëm dhe ish Senator në Shtetet e Bashkuara, po përballet me vështirësi të shumta në kërkim të pozicionit më të lartë.

Në qershor, kandidati për President i Partisë Demokrate, Xhon Eduards udhëtoi në disa nga vendet më të varfëra të Amerikës. Në qytetin e Klivlandit në shtetin e Ohjos, që ndodhet në qendër të Amerikës, ai bisedoi me banorët.

Në një miting në shtetin fqinj, Këntaki, zoti Eduards tha se 37 milionë amerikanë jetojnë në varfëri.

“Me pasuritë tona dhe me zhvillimin tonë, kjo është absolutisht e papranueshme, moralisht e papranueshme”.

Zoti Eduards i përqëndruar gjatë fushatës së tij tek varfëria, kujdesi shëndetësor për të gjithë dhe interesat e veçanta të të pasurve, përpiqet t’i bëjë apel më liberalëve në Partinë Demokrate.

Lleri Sabato, drejtor i Qendrës për Politikat në Universitetin e Virxhinias, thotë se liberalët tentojnë të kontrollojnë proçesin e emërimit në Partinë Demokrate.

“Zoti Eduards është duke konkuruar vetëm për të marrë emërimin dhe ai do të jetë i preokupuar për zgjedhjet e përgjithshme më vonë. Ai është po konkuron duke u pozicionuar më shumë majtas, se sa kur ai konkuroi në vitin 2004, sepse kjo është në favor të tij. Çelësi i tij elektoral janë punëtorët”.

Zoti Eduards ka qenë duke u takuar me sindikatat për të paktën një vit, duke sjellë mesazhin e tij në ambientet dhe në radhët e para të sindikatave.

Në prill, ai ishte kandidati i parë demokrat që shpenzoi një ditë me një anëtar të sindikatës, duke punuar përkrah një ndihmës infermieri.

Presidenti i Sindikatës, Andi Stern, i ka kërkuar secilit kandidat të shpenzojë një ditë, sikur të ishte anëtar i Sindikatës Ndërkombëtare të Punonjësve të Shërbimeve.

“Kështu, ai vërtet ka investuar dhe ka bërë shumë për njerëzit, të cilët janë në krizë në Amerikë dhe ne e admirojmë për këtë”, thotë zoti Stern.

Zoti Eduards i flet audiencës demokrate rreth fëmijërisë së tij të thjeshtë në një qytet të vogël të shtetit të Karolinës së Veriut, si një djalë i një punëtori fabrike mielli. Ai u bë një avokat i pasur, duke fituar çështje kundër korporatave të mëdha. Ky sukses i solli një vend në Senatin e Shteteve të Bashkuara nga shteti i Karolinës së Veriut. Zoti Eduards përfundoi si alternativë e Xhon Kerit për nën- president në vitin 2004 pasi humbi emerimin e demokratëve për president. Dhe kështu këtë vit, ai filloi një fushatë tjetër, me sa duket në pozita më të fuqishme.

Xhon Frontier, i cili merret me studimin e presidentëve në Insitutin Amerikan Enterprise, thotë.

“Por ai nuk e ka treguar këtë fuqi në sondazhe. Ai nuk ka mbledhur aq fonde si senatori Obama dhe zonja Klinton. Ai qëndron shumë mbrapa. Në sondazhe ai renditet nga fundi”.

Zoti Eduards, që renditet i treti në anketat midis demokratëve, vazhdimisht ka qenë renditur shumë larg nga ish-Zonja e Parë, Senatorja Hillari Klinton dhe Senatori i ri, Barak Obama.

“Unë jam në pozitat e viktimës, por jam duke luftuar. Më pëlqen ky vend, gjithmonë e më ka ecur shumë. Kjo, si të thuash është historia e jetës sime”.

Ai mbështetet tek gruaja e tij prej 30 vjetësh, Elisabet. Ajo është konsideruar si një grua e sofisitikuar në taktikat politike dhe ka marrë një rol shumë të dukshëm në fushatën e të shoqit, pavarësisht nga diagnostikimi me kancer në gji.

Zoti Eduards ka shpenzuar shumë kohë në shtetin e Ajovës, shteti i parë ku do të zhvillohen zgjedhjet paraprake dhe ku ai pati sukses në vitin 2004. Zoti Eduards kryesoi në fillim në anketat publike, por tani është në një garë të fortë me tre kandidatë në një shtet, Lleri Sabato thotë se ai duhet të fitojë.

“Edhe një vend i dytë me rezultat të ngushtë nuk është i vlefshëm. Në qoftë se ai nuk fiton Iowa-n, është i humbur”.

Në muajit e fundit ata që ndjekin fushatat thonë se punëtorët e sindikatave dhe demokratë të fuqishëm kanë dëgjuar më shumë një zë të çjerrë, por edhe mesazhe të ashpra nga zoti Eduards.

“Dëshëroni të dini pse ju nuk keni kujdes shëndetësor? Për shkak të kompanive të ilaçeve, kompanive të sigurimeve dhe veprimtarëve të tyre lobistë”.

Ndërsa Presidenti i Sindikatave, Stern shprehet:

“Ai ngre zërin për gjëra në të cilat ai beson. Ndoshta kjo ndonjëherë është shumë e ashpër siç duan të thonë disa, por unë mendoj se kjo është e vërtetë”.

Demokratët do të vendosin në zgjedhjet eleminatore që do të zhvillohen në fillim të vitit nëse përqëndrimi i zotit Eduards tek njerëzit punëtorë dhe të shtypur do të jenë të mjaftueshme për të, që ai të mund ta vazhdojë garën. //kk//

XS
SM
MD
LG