Lidhje

Ish senatori Fred Tomson në garën presidenciale


Ish-senatori Fred Thompson shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij për president. Zoti Thompson është tani një nga nëntë kandidatët për President, që kërkojnë emërimin e Partisë Republikane për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Duke u prezantuar me një stil të ri në politikë për zgjedhjet Presidenciale të vitit 2008, zoti Thompson zgjodhi për të bërë të njohur kandidaturën e tij për në Shtëpinë e Bardhë në një program argëtues, “The Tonight Show” me prezantues Jay Leno, në stacionin televiziv NBC. Po ashtu ai vendosi një njoftim me video në faqen elektronike të fushatës së tij elektorale. “Miqtë e mij, unë vij tek ju sot për t’iu thënë se unë kam ndërmend të kandidoj për President. Unë brenda meje ndjej se jam duke e bërë këtë për arsye të drejta. Unë e dua vendin tim dhe unë jam i shqetësuar rreth së ardhmes së tij”.

Zoti Thompson nuk mori pjesë në një debat të kandidatëve republikanë në shtetin New Hampshire, që është një nga shtetet e para ku do të zhvillohen zgjedhjet paraprake, duke u goditur nga rivalët e tij, përfshirë dhe ish-Kryetarin e Bashkisë së qytetit të New Yorkut, Rudy Giuliani. “Unë mendoj se ky është një emërim të cilin duhet ta meritosh. Askush nuk do të ta japë, askush nuk ta garanton”. Të tetë kandidatët republikanë që morën pjesë në debat, folën mbi emigracionin, taksat dhe luftën në Irak. Ky, ndoshta ishte debati i fundit pa kandidatin e ri Fred Thompson.

Zoti Thompson është një ish-senator nga shteti i Tenesisë, dhe është i njohur për rolet e tij në filma dhe televizion. Ai mbështet Presidentin për Irakun dhe shpreson të bëjë për vehte elementët konservatorë të cilët ende janë duke parë për një preferencë tjetër midis kandidatëve republikanë.

Analisti politik, Stuart Rothenberg ishte së fundi i ftuar në programin e Zërit të Amerikës, “Encounter”. “Shumë njerëz të cilët do të pëlqenin Ronald Reaganin të kandidojë përsëri, mendojnë se Fred Thompson mund të jetë Ronald Reagan i ardhshëm. Ai është i tërheqës. Ai është i pëlqyeshëm. Ai është i thjeshtë”. Por pritej që zoti Thompson të hynte në garë muaj më parë dhe ka pasur probleme për të mbledhur para dhe për të mbajtur punonjësit për fushatën e tij.

John Fortier vëzhgon fushatat presidenciale në insitutin kërkimor American Enterprise në Washington. “Për disa arsye, ai ka pritur për të bërë fushatë. Ai është vëzhguar me shumë kujdes, nuk ka mbledhur aq para sa mendohej se do të mblidhte. Kështu që dhe fama e tij ka rënë pak. Unë mendoj se republikanët vërtetë janë pak konfuzë të përcaktojnë se cilin duan”. Pavarësisht nga hyrja pak a shumë me vonesë në garë, zoti Thompson zinte vendin e dytë ose të tretë në shumicën anketave të opinionit publik, përpara se ai të bënte të njohur kandidaturën e tij.

Zoti Thompson futet në një garë të republikanëve ku nuk duket qartë se kush është pretendent. Ish-Kryetari i Bashkisë së New Yorkut, Giuliani ka kryesuar në sondazhet kombëtare për muaj, por ish-Guvernatori Romney është duke kryesuar në shtetet e rëndësishme të Iowas dhe New Hampshire, të cilat janë nga shtetet e para ku zvhillohen zgjedhjet paraprake. //rd//

XS
SM
MD
LG