Lidhje

Ekspertët thonë se diplomacia në procesin për zgjidhjen e statusit të Kosovës ka dështuar


Diplomacia në procesin për zgjidhjen e statusit të Kosovës ka dështuar dhe ka ardhur koha që udhëheqësit politikë ndërkombëtar të marrin një vendim, dhe jo 3 ndërmjetësit ndërkombëtarë. Kështu u shprehën tre analistë me përvojë në çështjet e Ballkanit në një diskutim që u zhvillua në qendrën Udrou Uilson me temë: Kosova në Balancë, Një Provë për Diplomacinë.

Pjesëmarrësit në diskutim kritikuan mënyrën se si po zhvillohen negociatat. Ata janë të një mendimi se vendimi për statusin e Kosovës duhet të meret nga udhëheqës të lartë politikë e jo nga tre diplomatët ndërkombëtarë.

Ish këshilltari i posaçëm presidencial për Ballkanin, Xhejms O’Brajën theksoi se procesi duhet të përfundojë këtë vit. Megjithatë ai u shpreh skeptik që fuqitë e mëdha janë gati për atë që do të pasojë procesin e statusit.

“Fuqitë e mëdha, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Francën, të pasura nga Gjermania e Italia, duhet të marrin përsipër gjendjen që do të pasojë pavarësinë e Kosovës. Unë nuk shikoj një nivel të tillë angazhimi intensiv politik të këtyre vendeve, megjithëse mendoj se duhet të ndodhë dhe ky është mesazhi themelor. Vendet evropiane duhet të pranojnë se negociatat janë të padobishme. Dështimi i trojkës nuk do të jetë i mjaftueshëm të bindë udhëheqësit politikë evropianë se negociatat kanë marë fund. Kjo mund të arrihet vetëm nëse këta udhëheqës ulen në bisedime të drejtpërdrejta me Prishtinën e Beogradin për një farë kohe për t’i kuptuar nga afër shqetësimet e tyre dhe kjo duhet të bëhet para 10 dhjetorit. Edhe për këtë nuk shikoj asnjë përgatitje”.

Zoti O’Brajën, një nga drejtuesit e Grupit Ollbrajt, thotë se Bashkimi Evropian duhet të pranojë përgjegjësitë që ka në zgjidhjen e statusit të Kosovës, sepse BE-ja është e interesuar të konsolidojë territorin e saj dhe të qartësojë marrëdhëniet me Serbinë. Njerëzit, tha ai, duhet të kenë frikë nga pasojat e vonesave. Popullata e Kosovës, shtoi ai, është lodhur nga qeverisja ndërkombëtare e veçanërisht nga premtimet, që nuk janë mbajtur.

Tim Xhudah, specialist i çështjeve ballkanike dhe autor i librit “Kosova: Lufta dhe Hakmarrja”, është dakord me zotin O’Brajën se komuniteti ndërkombëtar ka bërë shumë gabime në procesin për marrjen e vendimit përfundimtar për Kosovën.

Aktualisht kur bëhet fjalë për zgjidhjen e statusit të Kosovës, tha zoti Xhudah, i rëndësishëm është Bashkimi Evropian, e jo Shtetet e Bashkuara, Serbia apo Rusia. Jetike, thotë ai, është krijimi i të ashtuquajturës “masë kritike”, pra e numrit të vendeve që do të jenë të gatshme të njohin pavarësinë. Nuk mjaftojnë vetëm Shtetet e Bashkuara, Britania e Franca, por do të duhet një numër më i madh vendesh, rreth 20 prej tyre.

Kjo “masë kritike” tani për tani nuk ekziston dhe nuk mendoj se do ta dimë një gjë të tillë deri më 11 dhjetor. Nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara do ta njohin pavarësinë e Kosovës pa mbështetjen e Britanisë, Francës dhe disa vendeve të tjera, që do të krijonin të ashtuquajturën “masë kritike”.

Zoti Xhudah nuk është i sigurtë se çdo të ndodhë, por nëse nuk zgjidhet statusi i Kosovës, thotë ai, ekziston mundësia e shpërthimit të dhunës.

Këshilltari i politikës së jashtme në kabinetin e kryeministrit Çeku, Borut Gërgiç, përsëriti shqetësimin se esenca e problemit në procesin e statusit të Kosovës është se udhëheqësit politikë nuk po bëjnë atë që duhet të bëjnë, të marrin një vendim përfundimtar.

Zoti Gërgiç pohoi se do të vija diku kur komuniteti ndërkombëtar, fuqitë perëndimore, duke të pranojnë çmimin që janë të gatshme të paguajnë për pavarësinë e Kosovës dhe të zgjidhin më pas problemet që lindin si rezultat. Ai vuri në dukje fushatën e Sllovenisë drejt pavarësisë, e cila është gati të marë presidencën e Bashkimit Evropian.

“Në se Sllovenia do të kishte dëgjuar komunitetin ndërkombëtar në atë kohë, ajo nuk do të kishte shpallur pavarësinë sepse komuniteti ndërkombëtar ishte kundër. Asnjeri nuk mendonte në fillim të viteve 90-të kur Sllovenia shpalli pavarësinë nga Jugosllavia se ajo do të ishte sot aty ku është. Herët a vonë duhet të meret një vendim, dikush duhet të marë guximin e ta bëjë këtë, dhe mendoj se kjo do të bëhet nga vetë kosovarët”.

Ndërkohë zoti O’Brajën vuri në dukje se mënyra më e mirë për shmangjen e kundërshtimit të Rusisë është që Moska të vihet në pozitë të tillë, ku mund të mos jetë dakord, por jo të përdorë veton. Ky është modeli i ndjekur në të gjitha negociatat mbi Ballkanin në vitet 90-të, me përjashtim të Dejtonit. Kjo ndodhi me Rusinë në çështjen e Kosovës në vitin 1999, thotë ai.

Sipas zotit O’Brien, fuqitë perëndimore gabuan në fillim të këtij viti, kur menduan se rezoluta për Kosovën do të miratohej në Këshillin e Sigurimit, ku Rusia do të votonte ose do të abstenonte.

Zoti O’Brien shprehu mendimin se ndoshta administrata amerikane duhet të shqyrtojë përparësitë e saj, madje ai mendon se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet tani e jo t’i lihet administratës së ardhshme. //ze//

XS
SM
MD
LG