Lidhje

SHBA: Kandidatët republikanë kërkojnë mbështetjen e një grupi konservator

  • Xhim Mallone
  • Uashington

Kandidatët presidencialë republikanë kërkuan mbështetjen nga një grup konservator me ndikim në Washington, Shoqata Kombëtare e Armëve. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, gjatë zhvillimit të takimit, një grup protestuesish manifestuan kundër luftës në Irak.

Shoqata Kombëtare e Armëve është një nga grupet lobiste më të fuqishme në Washington, me më tepër se 4 milionë anëtarë, të cilët nuk druhen aspak t’i kërkojnë Kongresit të mbrojë të drejtat e njerëzve për të mbajtur armë.

Të pasionuarit e armëve dhe gjuetarët, historikisht kanë patur prirjen të votojnë për republikanët dhe, duke patur këtë fakt në mendje, një numër kandidatësh republikanë për në zgjedhjet presidenciale, morën pjesë në Konferencën e Shoqatës Kombëtare të Armëve në Washington, për të kërkuar mbështetjen e kësaj organizate.

Ja si u shpreh ish-senatori i Tenesis Fred Tomson:

"Pra, nuk është çështja se janë bërë premtime, përsa më përket mua, kjo ka të bëjë me plotësimin e disa detyrimeve."

Ish-senatori Tomson tha se ai njihet nga të gjithë, si një njeri që ka mbrojtur të drejtën e amerikanëve për të mbajtur armë, ndryshe nga disa republikanë të tjerë, të cilët kërkojnë emërimin e partisë së tyre për zgjedhjet presidenciale të 2008-ës dhe që kanë patur mosmarrëveshje me lobin e armatimeve për vite të tëra.

Ish-Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani, është një prej tyre, që i ka zemëruar pronarët e armëve në të kaluarën, pasi ka mbështetur disa masa për kontrollin e armëve.

Por Xhuliani e ka siguruar tashmë një mbështetje të konsiderueshme tij në anketime, që tregojnë se ai do të zhvillojë një garë të ngushtë me kandidaten demokrate, Hillari Klinton, në se ajo do të jetë kandidatja e emëruar nga Partia Demokrate për zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm.

"Kandidati për president duhet studjuar në tërësi dhe më pas, në varësi të pikëpamjeve, duhet të gjetur se cili mund të jetë më i përlqyer nga votuesit dhe kush mund t’i fitojë në zgjedhjet. Sepse, në se gabohemi për këtë çështje, vendi do të shkojë në drejtimin, për të cilin ju dhe unë nuk jemi dakord", -tha zoti Xhuliani.

Demokratët kanë bërë pak përparim gjatë viteve të fundit, për të sigruar mbështetjen përkrahësve të mbrojtësve të armëve në periudhën e zgjedhjeve. I vetmi kandidat presidencial demokrat që foli në Konferencën Kombëtare të Armëve, ishte guvernatori i Nju Meksikos, Bill Riçardson, i cili u shfaq nëpërmjet një mesazhi të regjistruar në videokasetë.

"Unë kam një periudhë të gjatë kohe që shërbej si kongresmen dhe guverantor, si mbrojtës i të drejtës së qytetarëve për të mbajtur armë. Mund të keni dëgjuar, se unë jo vetëm që mbështeta ligjin e Nju Meksikos për armët, por kam edhe vetë leje për të mbajtur armë", -tha zoti Riçardon.

Protestuesit kundër luftës zhvilluan një manifestim, duke ndrërprerë komentet për Irakun që po bënte kandidati tjetër republikan, Senatori i Arizonës, Xhon Mekein:

" Ne nuk mundet të zgjedhim humbjen në Irak dhe unë personalisht nuk kam për të zgjedhur humbjen..."- tha zoti Mekein

"Ne duam kthimin e trupave në shtëpi dhe nuk duam luftë me Iranin", - thanë protestuesit.

"Ne nuk do të zgjedhim humbjen. Jo, nuk do të zgjedhim humbjen e kësaj lufte!"

Senatori Mekein është kandidati republikan që e përkrah më tepër strategjinë e Presidentit Bush për shtimin e trupave në Irak dhe ai i kundërshton përpjekjet e demokratëve për caktimin e një afati për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku.//lk

XS
SM
MD
LG