Lidhje

Udhëheqësit e Kosovës: Statusi të vendoset menjëherë pas 10 dhjetorit


Javën që vjen, delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit do të takohen për herë të parë në kuadër të negociatave shtesë për statusin e Kosovës. Ndonëse këto bisedime janë parashikuar si përpjekje për të afruar qëndrimet e të dyja palëve, nuk ka asnjë shenjë se kjo mund të ndodhë. Beogradi ngul këmbë për ruajtjen e sovranitetit mbi Kosovën, ndërsa Prishtina e cilëson pavarësinë si çështje të kryer dhe të pa negociueshme. Prishtina zyrtare pret që dhjetë dhjetori të shënojë fundin e negociatave dhe fillimin e zbatimit të vendimit për të ardhmen e Kosovës. Anëtari i ekipit të unitetit Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës tha sot se vazhdimi i “status qos” është i papranueshëm.

Status-quoja në Kosovë është realiteti aktual, por, ky realitet është i paqëndrueshëm në angazhimet e mendimeve për hapje të dilemave të reja, prandaj Kosova është e përgatitur për pavaërsi, po përgatitet bashkërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për vendimin për pavarësi të plotë me prezencë civile dhe natyrisht me prezencën e NATO-s”, theksoi ai.

Zoti Thaçi përsëriti qëndrimin se vendimi për pavarësinë nuk do të jetë i njëanshëm, por i gjithanshëm, siç u shpreh ai duke nënvizuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Ai tha se Kosova nuk mund të krahasohet me asnjë vend tjetër, duke hedhur poshtë idetë që çështja e Kosovës të zgjidhet sipas modelit të Hong Kongut. Ai tha se Prishtina kundruall qëndrimeve serbe ka ofruar kompromisin e saj që është pavarësia e Kosovës.

Serbia ka qenë gjithmonë dhunshëm në Kosovë, ka ardhur dhunshëm ka qëndruar dhunshëm dhe është larguar duke ushtruar gjenocid. Prandaj, çdo kompromis me Serbinë për status është i paarritshëm. Ne kemi bërë kompromiset e domosdoshme në kuptimin më gjeneroz në kuptimin e respektimit të minoritarëve, të komuniteteve edhe të komunitetit serb. E kuptojmë dhe respektojmë të drejtën legjitime të Beogradit për t’u interesuar për serbët e Kosovës, por duhet bërë dallimin ndërmjet qytetarëve serb të Kosovës dhe autoriteteve të Beogradit. Prandaj, pavarësia vazhdon të mbetet kompromisi ynë në angazhimet e ardhshme”, theksoi zoti Thaçi.

Idetë që përjashtojnë pavarësinë e menjëhershme të Kosovës janë hedhur poshtë edhe nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili një ditë më parë tha në Prishtinë se Kosova është rast i veçantë dhe nuk mund të bëhen krahasime me asnjë vend tjetër në botë.

Kosova është ‘sui generis’ në ecjen e saj. Ne e trajtojmë asisoj dhe kësisoj e ka edhe trajtimin ndërkombëtarë, prandaj Kosova do të pavarësohet dhe do të jetë shtet i pavarur dhe sovran”, tha presidenti Sejdiu.

Sidoqoftë, afrimi i fundit të negociatave shtesë po përcillet më forcim të retorikës politikë të të dyja palëve por edhe me shqetësimin për rreziqet që bart me vete vazhdimi i “status quo-së” edhe pas dhjetë dhjetorit.//kk//

XS
SM
MD
LG