Lidhje

Kina nxjerr kufizime të reja për programet televizive


Kina shpalli rregulla të reja për të kufizuar shtimin e programeve televizive të stilit “American Idol”.

Rregullat e publikuara sot nga Administrata Shtetërore e Radios, Filmit dhe Televizionit, ndalojnë transmetimin në orët me shikueshmëri të lartë të ditës të programeve televizive ku konkurrojnë talentet e reja. Ato ndalojnë gjithashtu votimin nga audienca në këto emisione me mesazhe sms, me telefon apo përmes internetit.

Rregullat vendosin kufizime për jurinë, për veshjen dhe stilin e flokëve të pjesmarrësve si dhe për mënyrën se si flasin drejtuesit e programeve të tilla televizive.

Variantet kineze të shfaqjeve të tipit amerikan “American Idol” janë shtuar që nga viti 2005, kur televizioni i provincës Hunan filloi programin e tij të suksesshëm “Super Voice Girls”.

Muajin e kaluar, Kina ndaloi transmetimin e programit televiziv me talente të reja i titulluar “Hera e parë që dikush më preku”.

Në fillim të këtij viti, drejtori i Administratës shtetërore të Radios, Filmit dhe Televizionit shpalli masa kundër shfaqjeve “vulgare” televizive të tipit “Reality Show” duke thënë se këto ishin pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të pastruar ekranet e televizionit. //kk//

XS
SM
MD
LG