Lidhje

Presidenti Bush shkon në Nju Jork për takimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

  • Skot Stërns
  • Uashington

Presidenti Bush shkon në Nju Jork, për të marrë pjesë në disa ditë takimesh të nivelit të lartë që fillojnë të hënën në kuadrin e debatit që zhvillon Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Korrespondenti i Zërit të Amerikës njofton se zoti Bush do të diskutojë mbi përpjekjet për vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme, si dhe për t’i dhënë fund dhunës në rajonin e trazuar Darfur të Sudanit:

Takimet e Presidentit të hënën do të përqëndrohen tek Lindja e Mesme. Ai ka në plan të zhvillojë bisedime me Presidentin palestinez Mahmud Abas dhe me kryeministrin Salam Fajad.

Presidenti do të takohet gjithashtu me ish-kryeministrin britanik Toni Bler, i cili tani përfaqëson të ashtuquajturin Kuarteti i Lindjes së Mesme, ku përfshihen Shtetet e Bashkuara, Rusia, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara.

Presidenti Bush do të takohet po ashtu me Presidentin e Brazilit dhe ai do të marrë pjesë në një darkë pune në selinë e Kombeve të Bashkuara, ku do të bisedohet për ndryshimet e klimës.

Të martën në mëngjes, Presidenti Bush do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm e OKB-së Ban Ki-moon, para fjalimit që do të mbajë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se fjalimi i Presidentit do të përqëndrohet tek përpjekjet për shtimin e rolit të Kombeve të Bashkuara në vendosjen e paqes në Irak. Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë gjatë javës së kaluar, Presidenti Bush pranoi se ritmi i përparimit politik në Bagdad ka qenë më i ngadalshëm nga sa pritej.

Kur ai i bëri të njohura planet për dërgimin e trupave përforcuese në Irak në fillim të këtij viti, një nga synimet e tij ishte që irakianët të merrnin në ngarkim sigurinë në të 18 provincat e vendit deri në nëntor.

Por komandantët amerikanë në Irak thanë se kjo nuk do të ndodhë, të paktën, deri korrikun e ardhshëm. Ndërsa afati për vendosjen e gjendjes së sigurisë në Irak ka ndryshuar, zoti Bush tha se nuk ka ndryshuar vendosmëria e tij për ta çuar misionin deri në fund.

"Synimet janë të njëjta. Por a i kemi arritur ne ato shpejt? Jo. Fakti që nuk i kemi arritur ende synimet tona, nuk do të thotë që ne duhet t’i braktisim ato," - tha Presidenti.

Pas fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme, Presidenti Bush do të takohet me Kryeministrin irakian Nuri Al-Maliki. Ai do të marrë pjesë në një diskutim për demokracinë, para se të shkojë në një takim të Këshillit të Sigurimit për Afrikën, i cili pritet të përqëndrohet tek forca e përbashkët paqeruajtëse mes Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Afrikan, për Darfurin.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, thonë se gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, Presidenti Bush nuk ka në plan të takohet me Presidentin e Iranit Mahmud Ahmadinexhad, për të cilin zoti Bush thotë se po ndërton fshehtazi armë bërthamore. Irani thotë se programi i tij bërthmor ka për synim prodhimin energjisë elektrike.

Zoti Bush u përsëriti gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, se ai nuk e ka përjashtuar asnjëherë mundësinë e përdorimit të forcës kundër Iranit, por se është i mendimit që ka ende mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me mjete diplomatike.

"Për këtë arsye, ne po bashkëpunojmë me miqtë dhe aletatët tanë, për t’u dërguar një mesazh të vazhdueshëm iranianëve, se ka një mënyrë më të mirë për ta se sa izolimi, ai financiar dhe sanksionet ekonomike," - tha Presidenti Bush.

Të premten, është në plan të zhvillohet një takim i nivelit ministerial, me pjesëmarrjen e 5 vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, plus Gjermaninë, i cili do të përqëndrohet tek një rezolutë për sanksione të reja ndaj Iranit. Presidenti Bush do t’i japë fund qëndrimit të tij në Nju Jork të mërkurën, me një takim me presidentin afgan Hamid Karzai.//lk

XS
SM
MD
LG