Lidhje

Elvira Dones: Profesionet janë pasioni im, por familja është jeta ime


Të përcaktosh se ku e merr frymëzimin Elvira Dones, është po aq e vështirë sa të thuash se ku është shtëpia e saj. Pasi ndërtoi një jetë dhe karrierë në Zvicër, ajo jeton prej disa vitesh në Rockville të shtatit Maryland, pranë Uashingtonit dhe e zhvillon aktivitetin e saj mes Shqipërisë, Evropës Perëndimore dhe Amerikës. Autorja e romaneve dhe dokumentarëve me tema intriguese, Elvira Dones ka tërhequr së fundmi vëmendjen edhe të publikut anglishtfolës. Dokumentari i fundit “Virgjëreshat e betuara” për gratë që kanë zgjedhur të jetojnë si burra për të fituar status social në zonat veriore të Shqipërisë, do të shfaqer në tetor në një festival filmi në Baltimorë. Ajo tregon sesi i lindi ideja për një dokumentar të tillë.

“Lindur si interes para 20 vjetëve, mbetur diku në një qoshe të mendjes, pikërisht për veçantinë për sakrificën e këtyre grave dhe si gjithmonë çdo gjë piqet në një moment të caktuar të jetës, kështuqë edhe ky projekt, edhe kjo ide u poq shumë-shumë vite më vonë”.

Në fillim erdhi romani me këtë temë i titulluar në shqip “Hana” dhe që botohet këto ditë në italisht nën titullin “Virgjëresha e betuar”. Ndërsa për dokumentarin duke u nisur nga tema delikate, autorja Dones u nis me një farë pasigurie nëse do t’ia arrinte ta sillte për publikun historinë e këtyre grave por...

“Pas 45 ditësh unë kisha në dorë të regjistruara 6 dëshmitë e këtyre grave të cilat me shumë hezitim në fillim dhe më me lehtësi pastaj kur u njohëm nga afër më besuan historitë e tyre”.

Ajo e bën të qartë që qëllimi nuk ishte të vinte etiketa primitivizmi apo padrejtësie, por thjesht të tregonte historinë e një tradite shekullore, që megjithatë siç thotë shkrimtarja natyrisht që ka lindur dhe ekziston, sepse gruaja ishte në shkallën e fundit të shoqërisë së veriut shqiptar.

“Ka një lloj modernizmi në gjithë këtë. Natyrisht që ato gra humbasin diçka: ato humbasin të drejtën e të qenurit nënë, të drejtën e një marrëdhënieje normale me një mashkull, por nga ana tjetër ato fitojë një status social shumë të rëndësishëm për malet tona”.

Por zonja Dones heziton pak kur kur flet për gjendjen e gruas në përgjithësi në Shqipëri:

"Çështja e gruas në Shqipëri është me 1001 fytyra: Cila grua? Gruaja e malit është tjetër gjë, gruaja e veriut të thellë shqiptar. Gruaja e qytetit është ndryshe, por ama edhe në gruan e qytetit, cila prej tyre: e Sarandës, e Shkodrës, e Beratit apo e Tiranës? Gruaja e Tiranës në pjesën më të madhe të jetës së saj shoqërore dhe të jetës së saj sentimentale është sot në një nivel shumë më të lartë sesa një grua që është në një rrethinë të largët”.

Ajo thotë se duhet një organizim më i mirë i grave me njëra-tjetrën, nëpërmjet organeve, nëpërmjet shoqatave, nëpërmjet grave që janë sot në pararojë të jetës intelektuale në Shqipëri.

“Kam përshtypjen që secila punon më shumë për veten ose për një grup më të ngushtë. Është gruaja vetë që duhet të kërkojë, të imponojë dhe të organizohet në mënyrë të atillë që të tërheqë me vete edhe ato gra më të thjeshta dhe nuk kanë mundësi ta bëjnë veten të përfaqësuar në organet politike, shoqërore dhe ekonomike. Jo një lloj fitimi të egërsuar, të inatosur ndaj botës së meshkujve sepse nuk jemi në dy ushtri të ndryshme. Jemi të gjithë për të krijuar një shoqëri. Të bëhet diçka për shoqërinë shqiptare që vërtet është shumë mashkullore”.

Në gjithë aktivitetin e saj, shkrimtarja Dones kombinon profesionet e saj që megjithëse ndërthuren janë të ndryshme, por edhe jetën e saj personale. Si arrin ajo të lundrojë në këto ujra?

“Unë lundroj me një qetësi të madhe dhe me një ndjenjë kënaqësie të plotë që më rrethon nga të katër anët, në kuptimin që e quaj vetem me fat që kam mundur të bëj aq sa kam mundur të bëj në dy, tre profesione, sidomos letërsia që është feja ime kryesore në një farë mënyre, është jeta ime, është frymëmarrja, pastaj dokumentaristika, pastaj filmi artistik”.

Zonjës Dones i duket sikur ka lindur me udhëtimin brenda vetes dhe sikur ka shumë se një atdhe.

“Shqipëria është atdheu kryesor është vatra, është qendra, është pika e gravitetit. Pastaj janë vendet e tjera, interesat e tjera, dashuritë e tjera. Pikërisht për faktin që letërsia është aktiviteti im kryesor, gjithçka lidhet me gjuhën dhe mua përgjithësisht dashuria për një vend më kalon përmes dashurisë për gjuhën e një vendi. Kështuqë aty ku lëviz, lëviz me kënaqësi, ashtu siç duhet të lëvizë çdo njeri që është qytetar i botës në një farë mënyre”.

Autorja e disa romaneve dhe dokumentarëve thotë që është me fat, por si është raporti mes zgjedhjeve të saj dhe fatit? Zonja Dones ndjek një moto:

“Unë sjell tek gjërat një durim shumë aktiv. Durimi aktiv është ai që unë vë midis fatit dhe përzgjedhjeve. Siç thashë edhe përpara, gjërat duhen kërkuar, nuk duhet të pritet që të bien nga qielli. Në këtë sens unë jam pak ballkanike, në kuptimin që ndjenja e fatalitetit nuk bën pjesë në ADN-në time. Njeriu kërkon, provon, hulumton, ndoshta arrin diku. Por ama nëse pret që ato gjëra që dëshiron të bëjë t’ia japë dikush në dorë dhe t’i thotë ja këto janë si pakoja që vjen për Krishtlindje, atëherë këto gjëra nuk bëhen. Kur flas për fat, flas për fat në kuptimin që unë jetova në Zvicër për 16 vjet dhe para mundësi duke jetuar në qendër të Evropës dhe të hedh gjithandej spirancat e mia profesionale dhe shumë prej tyre lulëzuan”.

Por megjithë kënaqësinë që i jep profesioni, për shkrimtaren prioriteti kryesor janë familja dhe fëmijët: djali 26 vjeç që është martuar para pak kohësh, dhe vajza që është në shkollë të mesme. Zonja Dones thotë me shaka "se kur bëhet fjalë për ta, ajo mbetet një klloçkë ala shqiptarçe":

“Atë ditë që do të mbyll sytë dua që fëmijët e mi të më kujtojnë duke thënë që ajo ishte një nënë e mirë, jo ajo ishte një shkrimtare e mirë, apo një dokumentariste e mirë, apo skenariste e mirë. Nuk mendoj se jetoj për përjetësinë. Atë që bëj e bëj thjesht sepse ato janë pasionet e mia. Unë kam pasur një baba që ka vdekur para disa muajsh që ka qenë pika më e fortë në jetën time, ka qenë nëna ime. Dua që për fëmijët e mi, kur unë të mbyll sytë dhe të iki, ata të kenë brenda vetes plotshmërinë dhe dashurinë e madhe që kjo nënë u ka dhënë. Duke u nisur nga ky lloj qëllimi i përditshëm i çdomuninutshëm, unë ushqej në mënyrën më të plotë dhe pa asnjë lloj harrese përditë këtë lloj marrëdhënieje me fëmijët e mi dhe tim shoq”.

Ditët e shkrimtares Dones fillojnë që sa zbardh. Ajo zgjohet për t’i bërë mëngjesin vajzës dhe më pas vazhdon veprimtaritë e saj të përditshme deri vonë në darkë. Ja si e përshkruan ajo një ditë të sajën.

“Gjëja e parë është hapja e kompjuterave dhe nisja e vajzës për në shkollë, pastaj është një kafe e parë, shkarkimi i postës elektronike, sepse ndërkohë janë disa shtëpi botuese, disa televizione, disa grupe filmash me të cilat unë jam në kontakte pune në këto momente edhe për filmat e mi artistikë. Pastaj varet, nëse jam në fazën e shkrimit të një libri, sigurisht që janë të alternuara një libër me një film dokumentar, ose artistik, kështuqë përgjithësisht kam një axhendë tepër të ngjeshur dhe një disiplinë pune shumë të madhe, ndryshe nuk do arrija të mbaja përsipër gjithë atë peshë. Kështuqë dita ime fillon në 6 të mëngjesit dhe mbyllet në përgjithësi në 12 ose 1 të natës”.

Autorja sapo ka përfunduar një dokumentar dhe bëhet gati të fillojë një tjetër këtu në Shtetet e Bashkuara, po shkruan një roman që e merr temën tek lufta e Kosovës, ndërsa këto ditë del në Zvicër filmi i bazuar në romanin e saj “Ditë e Bardhë e Fyer”. //kk//

XS
SM
MD
LG