Lidhje

Kosumi: Kosova të shpallë pavarësinë pas 10 dhjetorit-çdo vonesë e dobëson pozitën e saj


Ish kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, i tha Zërit të Amerikës se Prishtina duhet të bëjë të gjitha përgatitjet që pas 10 dhjetorit kur përfundojnë negociatat shtesë për statusin e Kosovës, të ndërmarrë hapat për shpalljen e pavarësisë. Në një intervistë dhënë korrespodentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ish kryeministri Kosumi shpreh shqetësimin se çdo ditë e zvarritjes së procesit e dobëson pozitën e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kosumi, si e vlerësoni rrjedhën e procesit të deritashëm për zgjidhjen e statusit politikë të Kosovës?

Bajram Kosumi: Procesi i vendimit për statusin final të Kosovës ka pasur një fazë të ngritjes relativisht shumë të mirë. Prej fundit të vitit 2005 e gjate tërë vitit 2006 ka pasur fazën e vet të ngritjes, deri në momentin kur zoti Ahtisaari e ka dorëzuar propozimin e vet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Prej momentit kur Këshilli i Sigurimit ka dështuar të miratojë Rezolutën e re për Kosovën, ka filluar fatkeqësisht faza e degradimit të procesit për marrjen e vendimit për statusin final të Kosovës. Tash jemi ende në fazën e degradimit, por mund të them se jemi në pikën më kritike, në pikën më të vështirë gjendemi tash e deri më 10 dhjetor. Rreziku është shumë i madh që nëse më 10 dhjetor dhe ditët që pasojnë dhjetë dhjetorin nuk e marrim ne, Kosova bashkë me miqtë tanë Shtetet e Bashkuara dhe Anglinë dhe vendet e ndryshme evropiane situatën në dorë, nëse nuk e marrim flamurin në dorë, për ta marrë vendimin, procesi mund të na rrëshqasë nga dora dhe mund të hyjë në rrugë pa fund.

Zëri i Amerikës: Sipas jush, çfarë duhet të bëjë Prishtina në këtë periudhë?

Bajram Kosumi: Këtu tash duhet të jemi më realist në forcën që ka Kosova dhe faktori politik i Kosovës në këtë proces. Unë gjithmonë mendoj se faktori politik i Kosovës, ose më konkretisht grupi i unitetit të Kosovës, ka një rol dhe duhet të ketë një rol të rëndësishëm. Fundja po flasim për fatin e popullit të Kosovës dhe nuk po flasim për fatin e popullit rus, por për shqiptarët e Kosovës, për njerëzit e Kosovës. Detyrimisht populli i Kosovës ka një rol të madh, por ky rol mund të jetë i ndryshueshëm në bazë të aftësisë së klasës politike për t’ia dhënë vetes atë rol. Nëse ekipi i unitetit ka një vizion të qartë dhe ka një koncept të qartë se çfarë duhet të bëjë tash e tutje, atëherë roli i Kosovës do të jetë i fuqishëm. Nëse mungon ky vizion, çka po duket muajve të fundit se mungon ky vizion, atëherë roli i popullit të Kosovës dhe i Kosovës në përgjithësi në këtë proces do të margjinalizohet dhe do të merren të tjerët me neve. Nuk do të jemi subjekt qysh kemi qenë deri tash, por do të jemi një objekt me të cilin do të merren të tjerët. Përfundimisht ekipi i unitetit, duhet ta shfrytëzojë këtë kohë që e ka para vetes, që të bind Shtetet e Bashkuara, Anglinë dhe ndonjë vend evropian se pas dhjetë dhjetorit duhet të ndërmerren hapat konkret për bërjen dhe njohjen e shtetit të Kosovës. Ose më konkretisht, më 11 dhjetor ekipi i unitetit duhet t’ia dërgojë sekretarit të përgjithshëm të OKB-së kushtetutën e shtetit të Kosovës. Duhet t’ua dërgojë këtë kushtetutë pesë vendeve të Grupit të Kontaktit dhe të fillojë procesin e përgatitjes për shpalljen e shtetit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: A mendon se duhet të merren hapa të njëanshëm për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës?

Bajram Kosumi: Duhet ta bëjmë menjëherë pas dhjetë dhjetorit. Unë nuk mund të them se është kjo ditë ose ajo ditë, por një gjë jam i sigurt: çdo ditë që shkon më larg, çdo ditë që shtyhet procesi, qoftë edhe një ditë, pozita e Kosovës do të jetë më e dobët, jo më e mire. Ajo në të cilën kanë shpresuar miqtë tanë edhe në Këshillin e Sigurimit edhe Shtetet e Bashkuara se me këtë 120ditëshin e famshëm tash, do të arrijnë të bëjnë unitetin e Bashkimit Evropian, po tregohet një pritje e kotë, një pritje e pabazë.

Zëri i Amerikës: Por, zoti Kosumi është thënë vazhdimisht se shpallja e njëanshme e pavarësisë mund të sjellë tensione, mund të përcillet madje edhe me dhunë, posaçërisht me probleme të mëdha në veriun e Kosovës. Si të menaxhohet, nëse mund të shprehem kësisoj, një situatë e tillë?

Bajram Kosumi: Më lejoni t’ju them vetëm tej çështja e nocioneve, po përmendet shumë shpallja e njëanshme. Nuk ka shpallje të shumanshme të një shteti, nuk ekziston ky koncept praktik në botë. Ne provuam që të bëjmë shtetin e Kosovës nëpërmjet një lejekalimi të them kushtimisht në Këshillin e Sigurimit, por u dëshmua si e kotë. Po provohet në këto 120 ditë të njihet me një akt prej të gjitha vendeve të Unionit Evropian, por po shihet se është një mund i kotë, një punë Sizifi. Prandaj, edhe tash vazhdon të jetë argumenti dhe praktika e deritashme se shtetet shpallen njëanshëm, shtetet i shpalle populli që dëshiron të jetë i lirë. Sa i përket menaxhimit, po është një proces i vështirë i menaxhimit edhe për pjesën veriore të Kosovës. Por, nëse rezonojmë në bazë të rrjedhës së ngjarjeve që janë tash, është më lehtë të menaxhohet situata kur ne e shpallim shtetin e Kosovës, sesa të presim në pafundësi marrjen e një vendimi i cili s’do të mund të merret dhe të degradohet dhe të shpërndahet krejt fuqia politike vendimmarrëse rreth Kosovës, e kjo do të ketë pasoja pastaj edhe në unitetin e territorit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Por, në ndërkohë ju po organizoni, d.m.th. Prishtina po organizon një palë zgjedhje të reja, madje më të ndërlikuara se të gjitha zgjedhjet e deritashme. A nuk keni shqetësim se ato po ndërhyjnë në procesin e statusit të Kosovës?

Bajram Kosumi: Fatkeqësisht më duhet të pranoj se po, është një ndërhyrje shumë e keqe dhe këto zgjedhje sado që zgjedhjet gjithmonë kanë një legjitimitet demokratik, askush nuk mund të thotë se ka zgjedhje demokratike të papranueshme etj etj. Por ideja për të mbajt tash në këtë moment zgjedhje besoj se vjen prej njerëzve që kanë dështuar të kenë një vizion politik për statusin final të Kosovës. Duke dështuar të kenë vizionin, për të përmbushë kohën që është para nesh, atëherë janë kthyer dhe kanë ardhur deri tek propozimet për zgjedhjet. Por zgjedhjet tashmë janë shpallë, ato duhet të mbahen. Po të arrihej ndonjë kompromis në ndarjen e zgjedhjeve lokale prej atyre qendrore ka mundur te jetë një variant i diskutueshëm këtu, por tash kjo është punë e kryer. Zgjedhjet duhet të mbahen më 17 nëntor dhe të tentojmë brenda një dhjetë ditshi t’i bëjmë të gjitha punët procedurale rreth konstituimit të Kuvendit, të qeverisë. Nuk duhet partitë politike të harxhojnë shumë energji tash në fushata kundër njëri tjetrit, por që tash duhet të fillojnë marrëveshjet, bisedat, tryezat politike për konstituimin e shpejtë të Kuvendit të Kosovës, për formimin e shpejtë të qeverisë së Kosovës, në mënyrë që të mos humbim më shumë se dhjetë ditë negociata për Kuvend, për qeveri që të mund të jemi funksional më një dhjetor të jemi funksional, eventualisht në ditën kur skadon 120 ditëshi. (ze)

XS
SM
MD
LG