Lidhje

Franca shqyrton mundësinë e rianëtarësimit në komandën e NATO-s


Më shumë se katër dekada më parë, pas largimit nga krahu ushtarak i NATO-s, Franca po shikon mundësinë e kthimit. Kritikët thonë se kjo është një lëvizje simbolike, pasi Parisi është anëtar aktiv i aleancës transatlantike. Por kjo lëvizje mund të pasyrojë ndryshimin më të madh në politikën e jashtme nën Presidentin Nikolas Sarkozi.

Shanset e Francës për t’iu bashkuar përsëri komandës ushtarake në NATO-s u shtuan në fillim të këtij muaji nga Ministri i Mbrojtjes Herve Morin. Në një fjalim që mbajti në Tuluzë, zoti Morin tha se Parisi nuk përfiton maksimumin nga NATO-ja, megjithëse është një nga kontribuesit e saj më të mëdhenj. Strategjia ushtarake e Evropës nuk mund të përparojë, tha ai, në qoftë se Parisi nuk qartëson qendimin e tij në NATO.

Shumë analistë besojnë se shanset e Parisit për të rihyrë në krahun ushtarak të NATO-s janë më të mira tani se sa kanë qënë për vite me radhë. Franca u largua nga krahu ushtarak i NATO-s në vitin 1966, e irrituar nga roli dominues, siç e shikonte ajo, të Uashingtonit në institucionet me bazë në Bruksel.

Por Franca nuk ka qënë kurrë jashtë aleancës. Ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm politik dhe ka qënë ushtarakisht aktive. Disa mijëra trupa franceze janë tani të stacionuara në Kabul dhe Kosovë. Christopher Chivvis, i Institutit francez për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Paris është i mendimit se kthimi i Francës në krahun ushtarak të NATO-s do të jetë kryesisht simbolik. "Kjo nuk do t’i ndryshonte aftësitë e NATO-s për të ndërmarrë misione ushtarake të një lloji tjetër. Por nga ana tjetër, në nivelin politik kjo do të thotë se Franca vazhdon të jetë e angazhuar në NATO si një aleancë ushtarake”.

Por Leo Majkëll, analist i Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes këtu në Uashingon, beson se anëtarësimi ushtarak i Francës do të kontribuojë për një ndryshim: ”Në qoftë se Franca do të ketë një peshë më të madhe në drejtimin strategjik të aleancës, një nga mënyrat për ta realizuar këtë është prania e saj ushtarake në të gjitha nivelet, ku ajo mund të shprehë qendrimin e saj”.

Deklaratat e Francës për t’u kthyer në krahun ushtarak të NATO-s nuk janë të reja. Deklarata të tilla ka bërë edhe ish Presidenti i Francës, Zhak Shirak, por ato nuk u realizuan kurrë. Ai kundërshtoi më pas rolin e NATO-s në Irak dhe Liban dhe u shpreh në favor të një politike për mbrojtjen e pavarur evropiane, duke hedhur poshtë kritikat se ajo do të minonte aleancën e Atlantikut.

Analisti për çështjet e Mbrojtes në Qendrën për Reformën Evropiane në Londër, Tomas Valasek, thotë se nën Shirakun, lidhjet transatlanitke ishin në nivelin më të ulët gjatë luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, që u kritikua ashpër nga francezët. "Shiraku u përpoq sistematikisht ta distanconte Francën nga NATO-ja dhe nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht pas luftës në Irak dhe ta poziciononte vendin e tij si një burim alternativ fuqie ndaj Shteteve të Bashkuara. Ai e shikonte veten si trashëgimtar të traditës së De Golit dhe ishte pikërisht gjeneral De Goli që e largoi Francën nga struktura ushtarake e NATO-s. Meqë NATO-ja është parë si një aleancë e dominuar nga Shtetet e Bashkuara, ministrat francezë të Jashtëm dhe të Mbrojtjes janë përpjekur vazhdimisht ta dobësojnë NATO-n dhe të minojnë çdo ide të re dhe çdo nismë të re brenda aleancës. Nën Shirakun nuk kishte shpresa për afrimin e Francës me NATO-n”, thotë analisti.

Por udhëheqësi i tanishëm i Francës, Nikolas Sarkozi, e ka distancuar veten nga e kaluara degoliste. Ai është zotuar ta ndryshojë traditën e marrëdhënieve franko-afrikane dhe marrëdhëniet e ftohta me Rusinë. Ndryshe nga Presidentët e mëparshëm të Francës, ai është haptzi pro Izraelit. Në muajin gusht, ai dërgoi ministrin e tij të jashtëm, Bernard Kushner për në vizitë tre-ditore në Irak, e para e një zyrtari të lartë francez në atë vend për vite të tëra. Dhe ndërsa Shiraku sugjeroi se mund të jetonte me një Iran me armë bërthamore, Sarkozi mbështet administratën Bush për sanksione më të ashpëra ndaj Teheranit. //rd//

XS
SM
MD
LG