Lidhje

Bërns: Besueshmëria e OKB-së rrezikohet nga çështja e Iranit


Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit tha dje se besueshmëria e Këshilli të Sigurimit të OKB-së rrezikohet, me përpjekjet për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Iranit, lidhur me porgramin e tij bërthamor. Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, Nikolas Bërns, foli dje në Kombet e Bashkuara, ku këtë javë po zhvillohen konsultime intensive lidhur me një rezolutë të re ndaj Iranit.

Zoti Bërns, zyrtari i tretë më i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, tha se do të takohet me drejtorë politikë të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermanisë, dy herë gjatë kësaj jave në Nju Jork, para takimit në nivel ministror, të ashtuquajtur “Pesë Plus Një”, të drejtuar nga Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs, të premten.

Këshilli i Sigurimit ka miratuar dy rezoluta relativisht të buta për sanksione kundër Iranit, për shkak të refuzimit të Teheranit për të ndaluar pasurimin e uraniumit dhe për kthimin në tryezën e bisedimeve ndërkombëtare, lidhur me porgramin e tij bërthamor.Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë besojnë programi bërthamor i Iranit përfshin edhe një komponent të caktuar armësh sekrete.

Në një konferencë shtypi në ambjentet e Kombeve të Bashkuara, zoti Bërns tha se një takim që u zhvillua të premten e kaluar në Departmentin e Shtetit, i cili zgjati 4 orë e gjysëm, ishte konstruktiv, por nuk arriti në një marrëveshje mbi një rezolutë të re, për shkak të hezitimit të zyrtarëve rusë dhe atyre kinezë për shtimin e sanksioneve ndaj Iranit.

Zoti Bërns tha se i njëjti grup do të takohet në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të mërkurën dhe të enjten, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje në prag të takimit ministerial të së premtes dhe ai paralajmëroi se prestigji i organizatës botërore rrezikohet nga kjo përpjekje.

"Besueshmëria e Këshillit të Sigurimit dhe ajo e Kombeve të Bashkuara rrezikohet. Tre rezoluta janë miratuar brenda një viti. Ajo 16-96, në 31 korrik të vitit 2006, ato 17-37 dhe 17-47, të dy rezolutata e fundit me sanksione. Irani nuk po i respekton ato. Prandaj Kombet e Bashkuara tani duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e veta dhe të japin ndihmesën që Irani të fillojë të bashkëpunojë me mjete diplomatike, në këtë rast me rezolutat e sanksioneve," - tha zoti Bërns.

Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka synime tërësisht paqësore, një koment i theksuar sërish nga Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad në fjalimin që mbajti dje në Universitetin Kolumbia në Nju Jork. Ai tha se projekti i debatueshëm bërthamor ka vetëm synimin e prodhimit të energjisë elektrike dhe se qeveria islamike e Iranit nuk beson tek armët bërthamore.

Rusia dhe Kina duket se po bëjnë rezistencë lidhur me kohën dhe shkallën e masave të reja ndëshkuese të propozuara nga administrata e Presidentit Bush, duke preferuar që kontaktet diplomatike me Iranin të realizohen nga shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Ernergjisë Bërthmore Muhamed El Baradei.

Pas takimit "Pesë Plus Një" të së pretmes së kaluar, Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarët evropianë thanë se ishin duke u përgatitur për vendosjen e sanksioneve nga ana e tyre ndaj Iranit, në se përpjekja për një rezolutë më të fortë të OKB-së dështon.

Në një intervistë që dha në Nju Jork, për Agjencinë e Lajmeve Rojters, Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs tha se administrata e Presidentit Bush po shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Iranit, mes tyre një masë ndëshkuese ndaj forcës elitë Kude, të Rojeve Revolucionare të Iranit.

Shtetet e Bashkuara kanë vënë tashmë sanksione ekonomike dhe udhëtimi, ndaj udhëheqësve individualë të forcës Kude, por Sekretarja Rajs, tha se zyrtarët e administratës po shqyrtojnë tani se çfarë masash ndëshkuese duhen marrë ndaj kësaj force në tërësi. Shtetet e Bashkuara e akuzuan forcën Kud se stërvit dhe furnizon me mjete kryengritësit në Irak, të cilët kanë vënë në shënjestër trupat amerikane, një akuzë që Irani e mohon.//lk

XS
SM
MD
LG