Lidhje

Sekretarja Rajs: Vetëm një Kosovë e pavarur mund të sjellë qëndrueshmërinë në Ballkan


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs tha se vetëm një Kosovë e pavarur mund të sjellë qëndrueshmërinë në Ballkan.

Zonja Rajs tha mbrëmë në një intervistë për agjencinë Rojters se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për pavarësinë e Kosovës.

"Shtetet e Bashkuara, tha zonja Rajs, i përmbahen planit Ahtisari, sipas të cilit nuk do të ketë ribashkim të Serbisë e Kosovës, dhe se Kosova e Serbia duhet t'i hedhin sytë nga e ardhmja e tyre dhe ta lënë pas të kaluarën".

Sekretarja Rajs tha se beson që bisedimet e tanishme mbi të ardhmen e Kosovës, me ndërmjetësinë e Uashingtonit, Rusisë dhe Bashkimit Evropian, do të çojnë, siç u shpreh ajo, në një “rezultat miqësor”. Por ajo shtoi se shpallja e njëanshme e pavarësisë nuk është një ide shumë e mirë.

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë të bashkuara lidhur me nevojën e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Zonja Rajs shtoi se evropianët e pranojnë se si pjesë e Evropës, Ballkani duhet të jetë i qëndrueshëm, prandaj atyre do t'u duhet të marrin vendime të vështira, por të drejta.

Përfaqësuesit e Kosovës e të Serbisë do të zhvillojnë të premten takimin e tyre të parë të drejtëpërdrejtë në kuadër të raundit të tanishëm të bisedimeve, kur të vijnë në Nju Jork, ku po zhvillohet sesioni i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Bisedimet e tanishme për statusin e Kosovës janë në plan të përfundojnë më 10 dhjetor.

XS
SM
MD
LG