Lidhje

Fjalimi i Presidentit iranian në Universitetin Kolumbia shkakton protesta


Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, që ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Takimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, mbajti dje një fjalim në Universitetin Kolumbia të Nju Jorkut.

Fjalimi i tij ishte i mbushur me polemika dhe shkaktoi protesta të organizatave të djathta, të mediave dhe politikanëve. Mijëra demonstrues ishin mbledhur jashtë ndërtesës së Universitetit Kolumbia gjatë kohës që Presidenti iranian po mbante fjalimin.

Presidenti i Universitetit Kolumbia, Li Bollinger, i cili drejtoi aktivitetin dhe i dha fjalën Presidentit iranian, i tha atij pas fjalimit se ai shfaqi të gjitha shenjat e një “diktatori të egër dhe mendjengushtë”.

Zoti Bollinger i drejtoi pyetje të vështira presidentit iranian lidhur me programin bërthamor të vendit të tij, për masat shtypëse ndaj intelektualëve, homoseksualët, e çështje të tjera për Iranin.

Udhëheqësi iranian tha se vendi i tij nuk ka homoseksualë, një koment ky që provokoi të qeshura në sallë. Zoti Ahmadinexhad tha se zoti Bollinger e kishte fyer atë dhe audiencën.

Presidenti iranian ja kishte kushtuar fjalimin e tij të përgatitur më parë, komenteve për idetë fetare dhe filozofike lidhur me kërkimin drejt së vërtetës.//lk

XS
SM
MD
LG