Lidhje

Serbia midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian


Të inkurajuar nga mbështetja e Moskës për Beogradin në çështjen e Kosovës, nacionalistët në Serbi i kanë shtuar thirrjet për marrëdhënie më të ngushta me Rusinë duke krijuar shqetësime se Serbia mund të largohet nga objektivi i saj për t’u integruar në institucionet perëndimore. Disa analistë dyshojnë gjithashtu se me veprimet e saj të fundit, Serbia po ndjek ndoshta rrugën e rrezikshme të izolimit.

Kryeministri serb, Vojislav Koshtunica tha kohët e fundit se Beogradi “do të dijë si ta falenderojë Rusinë” për mbështetjen e saj ndaj qendrimit të Serbisë lidhur me të ardhmen e Kosovës.

Disa analistë i ka befasuar deklarata e Koshtunicës. A mos po tërhiqet Serbia nga synimi i saj i shpallur për t’u integruar me Perëndimin? Dhe, nëse po, çfarë do të nënkuptonte kjo? Ja si shprehet Martin Sletzinger i Qendrës Woodrow Wilson: "Mendoj se do të ishte dritëshkurtësi që njerëzit në Serbi dhe udhëheqja serbe të mendojnë se marrëdhëniet me Rusinë janë afatgjata apo se rusët do të përpiqen t’i mbrojnë me çdo kusht interesat serbe. Rusët i bëjnë këto për interesat e tyre dhe vetëm për interesat e tyre dhe jo për serbët".

Analistët përgjithësisht mendojnë se, duke kundërshtuar planet perëndimore për Kosovën, Rusia përpiqet të afirmojë ndikimin e saj global krahas Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Ja ç’thotë Hans Maull i Universitetit Trir të Gjermanisë: "Këto janë llogaritje të ftohta të Rusisë dhe jo shprehje e solidaritetit sllav që Serbia mendon se është shkak i përkrahjes ruse".

James O’Brien i cili punon për Grupin Ollbrajt, thotë se Moska përpiqet ta vonojë konsolidimin e Bashkimit Europian dhe të NATO-s. O’Brian, ish këshilltar i posaçëm presidencial për Ballkanin, thotë se Kremlini po e përdor Beogradin si vegël në një lojë force, gjë që bie ndesh me interesat afatgjata të Serbisë: "Mundësia e serbëve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, për të udhëtuar lirisht dhe për të lëvizur mallra dhe njerëz përtej kufijve do të varen nga Presidenti rus Vladimir Putin. Nuk besoj se serbët e dëshirojnë këtë". Sletzinger thotë se veprimet e Rusisë në emër të Serbisë nuk janë diçka krejtësisht negative sepse kjo ndihmon të balancohen ato që ai i quan përpjekje të njëanëshme të qeverive perëndimore që Kosova të fitojë pavarësinë.

Megjithatë, analisti thekson se Rusia nuk po i ofron asgjë thelbësore Serbisë përveçse një mbështetje të mjegullt për Kosovën: "E ardhmja e Serbisë si dhe e të gjithë fqinjëve të saj, është në BE dhe në NATO, sidomos në BE. Rusia nuk ofron asgjë përveç faturave të gazit. Disa herë ky mund të jetë i lirë disa herë i shtrenjtë".

Analisti me përvojë i Ballkanit, Ed Joseph pranë Shkollës së Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Uashington, thotë se Koshtunica përpiqet të shfrytëzojë mosmarrëveshjet mes Perëndimit dhe Rusisë siç bënte Titoja gjysmë shekulli më parë. Kjo taktikë thotë Joseph është e destinuar të dështojë: "Nuk mendoj se mund të anëtarësohesh në BE pa pranuar gamën e plotë të ndryshimeve transformuese në qeveri dhe në shoqërinë e vendit. Nuk mund të qendrosh ulur në dy karrike njëherësh. Duhet të zgjedhësh".

Bashkimi Europian prej 27 vendesh anëtare u ka ofruar shteteve të Ballkanit, përfshirë Serbisë, perspektivën e anëtarësimit të plotë me kusht që ajo të ndërmarrë reforma demokratike. Shtetet e Bashkuara e mbështesin integrimin e kontinentit europian në një komunitet të pandarë, të lirë dhe të begatë. //rd//

XS
SM
MD
LG