Lidhje

Ahmadinexhad: Irani do t’i konsiderojë të paligjshme sanksionet e mëtejshme të Këshillit të Sigurimit kundër vendit të tij


Presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad, në një fjalim që mbajti dje në Kombet e Bashkuara tha se çështja e programit bërthamor të Iranit është e mbyllur si rrjedhojë e bashkëpunimit të Teheranit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Ai tha se Irani do t’i konsideronte krejtësisht të paligjshme sanksionet e mëtejshme që mund të ndërmerrte Këshilli i Sigurimit kundër vendit të tij.

Presidenti iranian foli me tone sfiduese për çështjen bërthamore në Kombet e Bashkuara, ku diplomatë të lartë të 5 vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit plus Gjermania do të takohen në ditët e ardhëshme lidhur me sanksione të reja kundër Teheranit për shkak të refuzimit të tij për të ndalur pasurimin e uraniumit.

Zoti Ahmadinejad insistoi në qendrimin e mëparshëm të Iranit se përpjekjet e pasurimit janë një e drejtë kombëtare që bazohet në Traktatin e Mospërhapjes Bërthamore dhe se veprimtaritë bërthamore të Iranit janë krejtësisht paqësore.

Në një fjalim që mbajti në Asamblenë e Përgjithshme dhe më pas në një konferencë shtypi mjaft të ndezur, ai akuzoi vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit se përpiqen ta politizojnë çështjen dhe të frikësojnë vendin e tij.

Por ai tha se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike është forumi i përshtatshëm për zgjidhjen e çështjes dhe se si rrjedhojë e bashkëpunimit të Iranit me këtë organizatë, çështja është kthyer në një temë të rëndomtë të kësaj agjencie prandaj duhet quajtur e mbyllur.

Zoti Ahmadinejad tha se sanksionet e reja të Këshillit të Sigurimit do të ishin një vazhdimi i armiqësive që vazhdojnë prej dekadash ndaj Iranit nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe e aleatëve të tyre: "Për 30 vjet me radhë, ata kanë demonstruar aftësinë e tyre për të marrë vendime që drejtohen kundër vendit tonë. Për vite, ata kanë kërcënuar në fakt vendin tonë dhe sot përsëri vendimet që marrin për ne Shtetet e Bashkuara dhe Franca nuk janë të rëndësishme. Ajo që ka rëndësi është që veprimtaritë tona bërthamore bazohen në kuadrin ligjor dhe nën mbikqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, prandaj programi ynë do të vazhdojë."

Irani u ka bërë sfidë dy rezolutave për sanksione nga ana e Këshillit btë Sigurimit, të cilat kërkojnë që vendi të pezullojë programin e pasurimit të uraniumit për të cilin Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian beson se është i lidhur me armët bërthamore.

Diplomatë të lartë të grupit 5 plus 1 do të takohen nesër dhe pasnesër në Nju Jork për çështjen e sanksioneve të reja në përgatitje të një takimi ministerial që do të kryesohet të premten nga Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs.

Në fjalimin e tij plot referenca fetare, zoti Ahmadinejad bëri gjithashtu thirrje për reforma në OKB për të pakësuar kompetencat e Këshillit të Sigurimit, që sipas tij dominohet nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera armiqësore ndaj Iranit.

Në një konferencë shtypi, ai mohoi akuzat amerikane për ndërhyrje në Irak dhe refuzoi t’i përgjigjej një pyetjeje lidhur me mbështetjen siç thuhet të Iranit ndaj terrorizmit ndërkombëtar në Liban dhe vende të tjera.

Rastësisht, zoti Ahmadinejad foli në tribunën e Asamblesë së Përgjithshme menjëherë pas Presidentit të Argjentinës Nestor Kirchner, i cili kritikoi Iranin se nuk ka bashkëpunuar me hetimet e vendit të tij rreth një shpërthimi të vitit 1994 në një qendër hebraike në Buenos Aires ku u vranë ose u plagosën rreth 400 vetë.

Prokurorët argjentinas kanë implikuar zyrtarë iranianë dhe grupin Hezbollah të mbështetur nga Irani lidhur me këtë sulm. Zoti Kirschner tha se Irani duhet të kishte bashkëpunuar shumë kohë më parë me hetimet: "Interpoli ka kërkuar 6 iranianë dhe 1 libanez të përfshirë në këtë çështje," tha Presidenti argjentinas.

Ai tha se deri më sot, Irani nuk ka ofruar bashkëpunimin e kërkuar nga Argjentina dhe se qeveria e tij po i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-Moon dhe gjithë vendeve të tjera anëtare të ndërhyjnë që Irani të ndërmarrë hapat e duhur.

Ambasadori iranian në Argjentinë tha javën e kaluar se nëse zoti Kirchner bën deklarata të tilla në Kombet e Bashkuara, kjo do të interpretohej si shenjë se Argjentina mbështet luftën kundër Teheranit. //ii

XS
SM
MD
LG