Lidhje

Obrajën: Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të njohin pavarësinë e Kosovës


Shtetet e Bashkuara janë shprehur në mënyrë të përsëritur në favor të pavarësisë Kosovës. Më së fundi qëndrimi amerikan u përsërit të hënën nga Sekretarja e Shtetit, Kondolisa Rajs. Ish këshilltari i posaçëm presidencial për Ballkanin, Xhejms Obrajën thotë se Uashingtoni është gati ta njohë pavarësinë e Kosovës, edhe pa një marrëveshje me Beogradin, ndërkohë që rusët preferojnë ta zgjasin procesin pa një afat të caktuar, megjithëse nuk e kanë deklaruar preferencën e tyre. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Obrajën thotë se çështja është se cili është qëndrimi i Bashkimit Evropian kur bëhet fjalë për pavarësinë e Kosovës, prandaj edhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë.

Zëri i Amerikës: Sekretarja e shtetit Kondolisa Rajs shprehu këtë javë dedikimin e Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës Megjithatë ajo tha se shpallja e njëanshme e pavarësisë nga vetë Kosova nuk është një ide shumë e mirë. Si mund të shkohet në pavarësinë e Kosovës, pa një shpallje të njëanshme të saj?

Xhejms Obrajën: Komentet e Sekretares Rajs pasqyrojnë angazhimin e vendosur të Shteteve të Bashkuara për ta zgjidhur statusin e Kosovës këtë vit. Me komentet e saj ajo përpiqet të thotë se Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Rusia po bëjnë përpjekje të gjithanshme për të gjetur një zgjidhje të përbashkët të kësaj çështjeje, ndërkohë që shkurajojnë secilën palë, si Prishtinën edhe Beogradin që të ndërmarrin ndonjë veprim, para se të arrihet në një farë marrëveshje mes faktorëve ndërkombëtarë lidhur me kursin e së ardhmes: Populli i Kosovës të mos shpallë pavarësinë, deri sa të përcaktohet kursi i së ardhmes dhe Serbia të mos ndërmarë ndonjë veprim, si për shembull ndarja e veriut të Kosovës, ose të tërheqë popullsinë serbe nga enklavat. Fuqitë perëndimore duan që Prishtina dhe Beogradi të përmbahen nga veprime të tilla për të bërë të mundur që të bëhen të gjitha përpjekjet deri në fund të procesit. Në fund të procesit është më se e qartë se si do të zhvillohen ngjarrjet. Shtetet e Bashkuara janë në favor të pavarësisë në të ardhmen e afërt dhe janë gati ta njohin pavarësinë e Kosovës , edhe pa një marrëveshje me Beogradin, ndërkohë që rusët preferojnë ta zgjasin procesin pa një afat të caktuar, megjithëse nuk e kanë deklaruar preferencën e tyre. Çështja është tek qëndrimi i Bashkimit Evropian lidhur me pavarësinë e Kosovës. Prandaj edhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë. Kjo është koha kur udhëheqja politike e BE-së të ndjehet rehat për marrjen e vendimit, pavarësisht nëse kanë marrëveshjen e Beogradit apo të Moskës.

Zëri i Amerikës: Raundi më i fundit i bisedimeve përfundon më 10 dhjetor. Ju thatë se Shtetet e Bashkuara do ta njohin në mënyrë të njëanshme pavarësinë e Kosovës. A mendoni ju se kjo do të ndodhë këtë vit nëse nuk arrihet një marrëveshje në Këshillin e Sigurimit?

Xhejms Obrajën: Presidenti Bush dhe Sekretarja Rajs kanë lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ajo që duket se ata preferojnë është të arrihet një marrëveshje mes një numër vendesh evropiane, që do ta njihnin Kosovën pak pasi ajo të shpallte pavarësinë. Rezultati më i mirë është që të arrihet një zgjidhje me miratimin e Beogradit, por kjo nuk do të ndodhë, ose Moska ta pranojë në heshtje pavarësinë e Kosovës dhe kjo çështje të hidhet në vonë në Këshillin e Sigurimit, duke bërë të mundur që shtete të ndryshme të njohin pavarësinë e Kosovës. Mendoj se ky është një rezultat që nuk ka shumë të ngjarë të ndodhë. Ajo që ka më shumë të ngjarë të ndodhë është se raundi i tanishëm i bisedimeve do të dështojë. Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së do t’i paraqitet një raport, në të cilin do të pranohet se nuk ka perspektivë për një zgjidhje nëpërmjet bisedimeve. Në atë kohë, një grup shtetesh do të meren vesh me udhëheqjen e Kosovës se nëse ata shpallin pavarësinë këto shtete do ta pranojnë atë. Në këtë grup do të bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara dhe një masë kritike e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, 15-20 shtete, si dhe vende të tjera nga e gjithë bota dhe kjo do të ishte zgjidhja e statusit të Kosovës. Çështja për muajt e ardhshëm nuk është nëse Shtetet e Bashkuara do të veprojnë të vetme, por nëse ato do të jenë të sukseshme të bindin një numër vendesh të bashkohen në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Nëse Uashingtoni e shtyn marrjen e vendimit përfundimtar me pak javë me shpresë që të sigurojë këtë mbështetje, ato mund ta bëjnë këtë, por prova reale është nëse administrata amerikane mund të shfrytëzojë muajt tetor e nëntor që të bindë vende të tjera të mbështesin zgjidhjen e saj të preferuar. Mendoj se kjo përpjekje ka filluar tashmë dhe nëse statusi i Kosovës do të hidhej sot në votë, ndoshta 20 vende të Bashkimit Evropian ose edhe më shumë do të njihnin pavarësinë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Dhe në një skenar të tillë, si do të reagonte Serbia dhe Rusia?

Xhejms Obrajën: Këtë gjë unë nuk e di. Mendoj se në Serbi kemi të bëjmë me dy nivele: E gjithë udhëheqja politike serbe do të jetë shumë kritike nëse meret një vendim i tillë dhe do të kalojë një farë kohe deri sa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, madje kjo çështje mund të zgjasë për një farë kohe. Beteja reale do të zhvillohet në politikën e brëdshme. Kryeministri Koshtunica është shprehur kundër të gjitha nismave perëndimore, anëtarësinë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Mendoj se Kosova për të është një pretekst për t’u shkëputur nga perëndimi. Kjo do të bëjë që populli serb të bëjë zgjedhjen, a duan ata të jenë pjesë e institucioneve perëndimore, ku janë anëtarë të gjithë fqinjët e tyre, apo duan të mbajnë një qëndrim të pavarur, ndoshta duke u mbështetur kryesisht tek Rusia. Mendoj se kjo nuk është një e ardhme, që shumica e serbëve duan të shikojnë për vete, por ky është një vendim që ata duhet të marrin dhe që do të shikohet qartë në zgjedhjet e Serbisë gjatë viteve të ardhshme.

Zëri i Amerikës: Në Kosovë ekziston shqetësimi se shtyrjet dhe negociatat shtesë e kanë dobësuar mbështetjen e vendeve evropiane, në vend që ta shtojnë atë drejt një zgjidhjeje të statusit të Kosovës. Cili është komenti juaj?

Xhejms Obrajën: Kjo është një kohë për të qënë nervoz. Ne po i afrohemi fundit të një procesi dhe asnjë palë nuk dëshiron të pranojë se është gati të marë një vendim të vështirë, sepse kjo vetë është një çështje e vështirë. Rezultati është se evropianët po e mendojnë këtë me kujdes, se e vetmja zgjidhje është të meret vendimi pa një marrëveshje nga Beogradi apo Moska. Ky është një vendim që duhet marë nga udhëheqja politike e Bashkimit Evropian duhet të marë gjatë 2 muajve të ardhshëm. Shpresoj që gjatë kësaj kohe, udhëheqësit politikë do të diskutojnë me palët e angazhuara dhe të pranojnë se nuk do të arrihet një marrëveshje dhe se mënyra më e mirë që rreth 10 milion njerëz të këtij rajoni të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian është që Kosova të jetë e pavarur dhe Serbia të përqëndrohet në të ardhmen në vend që të luftojë për kufijtë e saj. (ze)

XS
SM
MD
LG