Lidhje

Laskaris: Plani i Ahtisarit është më i miri për Kosovën


Avni Behluli nga fshati Komogllavë i komunës së Ferizajt është i shqetësuar se 120ditëshi i bisedimeve shtesë për Kosovën është vetëm zgjatje e “status qos” dhe asgjë tjetër. Ai është i bindur se takimi i së premtes ndërmjet delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit nuk do të sjellë asgjë të re dhe se këto bisedime janë bërë më shumë për hir të Rusisë. “Nuk do të ketë kurrfarë pajtimi në mes të Serbisë dhe kosovarëve sepse këtu ekzistojnë mendime dhe ide diametrialisht të kundërta”, tha ai.

As bashkëvendësi i tij Ismail Ramadani nuk prêt asgjë nga bisedimet e së premtes, ndërsa është i rezervuar edhe për zhvillimet pas përfundimit të negociatave shtesë. “Nuk pres, jam skeptikë në atë që do të ketë mbas datës dhjetë dhjetor një zgjidhje përfundimtare”, theksoi ai Komentet e banorëve të fshatit Komogllavë pasuan një debat mbi procesin e zgjidhje së statusit të Kosovës në të cilin morën pjesë Alex Laskaris zëvendësshef i zyrës amerikane në Prishtinë dhe Hajredin Kuqi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Zoti Laskaris u bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë durimin që sipas tij është dëshmuar si strategji e suksesshme për Kosovën. Ai tha se bisedimet janë edhe një mundësi për palët që të arrijë ndonjë marrëveshje. “Do të pranojmë çfarëdo që palët merren vesh, nëse merren vesh. Por mbesim të bindur se plani i z. Ahtisaari është më i miri dhe mbetet fuqishëm në tavolinë”, tha zoti Laskaris. Ai tërhoqi vërejtjen në qëndrimet e presidentit Amerikan George Bush në favor të pavarësisë së Kosovës, por edhe mbështetjen që i kanë dhënë këtij qëndrimi edhe një pjesë e aleatëve evropian.

Ndërkaq, Hajredin Kuqi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës tha se në këtë periudhë është me rëndësi që Kosova të ruajë unitetin, qëndrueshmërinë dhe miqësinë me miqtë e saj. Së këndejmi tha ia edhe vendimi për pavarësinë e Kosovës do të jetë I përbashkët me miqtë e Kosovës. “Në momentet kur do t’i koordinojmë aktivitetet, t’i harmonizojmë me shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta bëjmë edhe atë punë”, tha zoti Kuqi.

Ekipi i negociuesve të Prishtinës u nis sot pasdite për në New York ku të premten do të takohet me ekipin e Beogradit. Të dyja palët shkojnë në takim me qëndrime tërësisht të kundërta dhe secila për vete e bindur se do të sigurojë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtarë. //rd//

XS
SM
MD
LG